Një nga degët më të rëndësishme të sistemit ujëmbledhës të veriut të Shqipërisë, lumi Fan, po shndërrohet në një rrjedhë toksike për shkak të ndotjes së shkaktuar nga fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz.
Fabrika, e pezulluar në letër, por funksionale në terren
Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorisë së Mjedisit dhe Ujërave, aktiviteti i fabrikës është pezulluar që në vitin 2023 për shkak të ndotjes së konstatuar. Megjithatë, kompania ka paditur vendimin në gjykatë dhe ka përfituar masën e sigurimit të padisë, duke vijuar aktivitetin deri në përfundim të procesit gjyqësor. Pra deri në përfundimin e procesit gjyqësor në lumin Fan do derdhen mbetjet e fabrikës.
“Fabrika është pezulluar, por me sigurim padie mund të punojë derisa të ketë një vendim përfundimtar të gjykatës. Në këtë moment, ne nuk kemi më kompetenca për të ndërhyrë,” – thotë një nga inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Mjedisit.
Në përpjekje për të kontaktuar përfaqësues të fabrikës në terren, gazetarët e Fiksit u përballëm me refuzim total. Rojet e sigurisë komunikuan me drejtuesit e kompanisë, të cilët refuzuan të takojnë gazetarë apo vizitorë. “Këta janë kriminelë, krokodilë”, – ishin fjalët e përdorura nga rojet, të cilët kërkuan largimin e gazetarëve nga territori i fabrikës.
Fiksi u interesua edhe pranë zyrave të IKMT-së rajonale në Shkodër, ku nuk u gjet askush. Drejtori aktual i Mjedisit dhe Ujërave për Shkodrën, i kontaktuar me telefon, tha se është në detyrë vetëm prej një muaji dhe nuk ka informacion nëse fabrika është inspektuar më parë. Ai theksoi se çështjen e ka ndjekur Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë.
Ndërkohë që autoritetet përplasen me njëra-tjetrën dhe presin përfundimin e një procesi gjyqësor që mund të zgjasë me vite, lumi Fan vazhdon të ndotet përditë nga mbetje industriale të fabrikës së bakrit duke shkaktuar një ndotje mjedisore të paprecedentë.
Marrë nga Top Channel