Teksa nuk ka kaluar as një vit nga vrasja e Martin Canit, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor të vitit të kaliar, tragjedia përsëritet sërish tek të miturit. Po 14-vjeçarë “killera” me thikë dhe po ashtu 14-vjeçar që vritet.
Autoritetet policore në Korçë raportojnë se dy të mitur, të moshës 14-vjeçare, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt me thika në ambientet e një lokali, rreth orës 17:00.
Njëri prej tyre ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës, por fatkeqësisht nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Viktima është shtetasi Erald Xhejo, 14-vjeç.
Burime bëjnë me dije se viktima është nga fshati Zvirinë, kurse autori Enedio Guri nga fshati Leminot, teksa mbetet për t’u sqaruar arsyeja e prezencës së tyre në Pirg, të tre fshatra të Bashkisë së Maliqit.
Sipas dëshmitarëve, dy të miturit, pasi kanë shkuar në ambientet e jashtme të një lokal në fshatin Pirg, kanë filluar një diskutim me njëri-tjetrin, ku më pas debati verbal ka degraduar në dhunë fizike dhe në përdorimin e thikave.
Autori ka qenë në shoqërinë e katër personave të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa viktima me dy të tjerë. Policia ka shoqëruar të gjithë personat e përfshirë, të gjithë të mitur, teksa po kryen hetimet mbi motivet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë.
Në njoftim thuhet se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Kjo është një tjetër tragjedi që tregon se ka dështuar sistemi arsimor dhe siguria tek fëmijët është thuajse zero. Edi Rama me ministren e tij, Ogerta Manastirliu për vrasjen e Martin Canit ia hodhën fajin TikTok-ut dhe deklaronin se nuk duhet bërë politikë me ngjarje të tillë.
Tragjedia përsëritet sërish, TikTok-u është mbyllur, por këtë herë kush do i mbajë fajet?
NJOFTIMI
“Maliq/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital.
14-vjeçari tjetër autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”
Marrë nga Boldnews.al