Zona e naftës, Patos–Marinza, vijon të mbetet një prej pikave më problematike mjedisore në vend, sipas gjetjeve të një auditimi të posaçëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit që hedh dritë mbi situatën alarmante të ndotjes dhe mungesës së kontrollit institucional.
Në mëngjes dhe mbrëmje ndjehet erë e rëndë, që sipas banorëve lidhet drejtpërdrejt me mosfunksionimin e impianteve të ujërave teknologjikë, të cilat duhet të reduktojnë kimikatet e çliruara gjatë procesit të nxjerrjes së naftës.
Situata nuk është më e mirë as pranë puseve të abandonuara, ku terreni është i parrethuar, me pellgje uji të ndotur, pa asnjë shenjë paralajmëruese. Përreth tyre ka rrjedhaje të mbetjeve hidrokarbure të cilat shpërndahen deri në afërsi të tokave bujqësore dhe mungojnë tabela informuese që tregojnë ndalimin e hyrjes dhe lëvizjes.
Për më tepër, puset aktive të naftës janë në afërsi të shtëpive të banimit apo ku zhvillohet aktivitet bujqësor dhe blegtoral dhe në disa zona filluar procesi i kënetëzimit;
Raporti thekson se në zonën e Fierit, nga parametrat e matur rezulton se cilësia e ajrit në zonën e ndikuar nga industria e nxjerrjes së hidrokarbureve është jashtë parametrave të lejuar nga BE dhe kuadri ligjor për shkak të përmbajtjes së lartë të NO2 dhe gazrave të tjerë.
Si rrjedhojë edhe vlerat e VOC janë jashtë parametrave të lejuara, të cilat janë si rezultat i vlerave të larta të NO2 që hyjnë në reaksion me elementë ndotës të tjerë të ajrit në zonë.
Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet e para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës, kanë edhe lëndë toksike.
Problemet thellohen më tej nga fakti se Raportet e Gjendjes së Mjedisit, të hartuar çdo vit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nuk përfshijnë të dhëna për Patos–Marinëz, pavarësisht se zona renditet ndër më të ndoturat në vend.
Kjo e bën raportimin zyrtar të shkëputur nga realiteti dhe cenon aftësinë e institucioneve për të ndërtuar politika mjedisore të bazuara në prova. Mungesa e të dhënave e zbeh transparencën dhe lë publikun në errësirë përballë rreziqeve që i kanosen mjedisit dhe shëndetit, thuhet në raport.
Auditimi vëren gjithashtu se monitorimi i situatës nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Albpetrol sh.a. është i dobët dhe i pamjaftueshëm, çka ka çuar në ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës përreth gropave ekologjike dhe puseve të braktisura.
Marrë nga Ekofin.al