Fshati piktoresk i Linit është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe qeveria ka miratuar një plan të qartë për ruajtjen dhe mbrojtjen e një zone të përcaktuar brenda fshatit.
Lini ruan strukturën tradicionale urbanistike me rrugica karakteristike prej kalldrëmi, ndërsa arkitektura vernakulare pasqyron teknika ndërtimi dhe materiale vendase, të përshtatura mjeshtërisht me klimën dhe resurset lokale.
“Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në fshatin Lin, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi”, thuhet në VKM.
Gjithashtu, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të vendimit të qeverisë, është bërë edhe përcaktimi i zonës mbrojtëse të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone në fshatin Lin.
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor është ngarkuar për publikimin e hartave të “Ansamblit Arkitektonik Urban” të fshatit Lin dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar, kurse Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi.
Ai hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia Pogradec ngarkohen për zbatimin e tij.
Lini mbetet një nga destinacionet më piktoreske të Shqipërisë, që dëshmon lidhjen e ngushtë mes njeriut, traditës dhe natyrës në brigjet e liqenit më të vjetër të Evropës. Fshati është i pasur me monumente historike dhe kulturore, duke përfshirë kishën e vjetër dhe arkitekturën tradicionale të fshatit.
Vendbanimi palafit i Linit në Pogradec – pas gërmimeve 4-vjeçare të arkeologëve shqiptar dhe atyre nga Universiteti i Bernës – ka rezultuar më i vjetri në Evropë. Një vendbanim ky, mbi 8 mijë e 400-vjeçarë, në të cilin është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi.
Arkeologu nga Zvicra, Albert Hafner, ka thënë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër. Kurse arkeologu shqiptar Adrian Anastasi ka theksuar që edhe vet konfirmimi i rezultatit tregon se është një zbulim i madh për vendin tonë.
Marrë nga Newsbomb.al