Këtë të martë do të mbahet në Tiranë një protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Protesta vjen pas marshimit të 18 majit, i cili u zhvillua në Shkup.
Nën moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentët do të marshojnë nga Sheshi Skënderbej drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Në protestën e sotme pritet të marrin pjesë studentë dhe qytetarë nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Studentët janë shprehur se kjo protestë nuk do të jetë e fundit dhe se reagimet do të vijojnë deri në adresimin e kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Prej kohësh, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë protesta masive, duke kërkuar realizimin e një të drejte që e konsiderojnë natyrore dhe kushtetuese: zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe mbetet një nga temat më të diskutuara në Maqedoninë e Veriut.
Marrë nga Newsbomb.al