Një anketë e Revistës Monitor paraqet të dhëna shumë domethënëse mbi strukturën moshore e shoqërore të protestuesve që po kërkojnë rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
Më 20 qershorin e shkuar, Edi Rama u rrek të mbrohet nga zemërata popullore në një fjalim që u bë i njohur për shpalljen armik të algoritmit. Por një detaj që nuk duhet lënë jashtë vëmendjes ishte, në atë fjalim, përmendja në dy raste të “punonjësve të mirëpaguar të bankave”, që, sipas Ramës, ishin bashkuar në shesh me shumë të tjerë, për të cilët Rama përdori epitete fyese, të tilla si “qeleshe”, “diletantë” “intelektualë me kapele republike”, e të tjerë.
Përmendja në veçanti e “punonjësve të mirëpaguar të bankave” nga Rama në atë kohë shkaktoi çudi, por në përgjithësi u kalua pa u vënë re. Njëri interpretim ishte ndonjë mesazh kërcënues i llojit: “Unë e di se kush jeni”. Në fund të fundit, duket qartazi se Rama ka angazhuar të gjithë shtetin për llogari të pushtetit, me shpresë se do të mund të shantazhojë qytetarët. Por punonjësit e bankave ka gjasa kanë qenë një shqetësim real i Ramës dhe, sipas një sondazhi të Revistës Monitor të publikuar të shtunën, dalja në protestë e këtyre punonjësve të superkualifikuar, me mirëqenie dhe të aftë për të gjykuar gjendjen ekonomike të vendit, drejtimin e vendit dhe politikat e qeverisë, duhet të lexohet, jo si një kërcënim nga Rama dhe as si një shqetësim prej tij: akshe-akshe, dalja e punonjësve të mirëpaguar të bankave në protestë është një njoftim mortor për Ramën, në kuptimin alegorik të fjalës, njoftimi i funeralit të tij politik.
Rreth 150 punonjës të sistemit bankar nga rreth 1700 që ka vendi, morën pjesë në një vrojtim të revistës Monitor mbi protestën dhe pothuajse 89% ishin pro saj.
Me pak fjalë, njerëzit që për nga profesioni konsiderohen gjakftohtë, të cilët nuk i lejojnë dot vetes të bëjnë gabime sepse një gabim i tyre mund të kushtojë miliona, ose kanë humbur gjakftohtësinë e tyre profesionale, ose, pasi kanë gjykuar gjendjen e vendit dhe, mbi të gjitha, politikat ekonomike të kryeministrit, kanë dalë në protestë për rrëzimin e tij, për rrëzimin e të gjithë politikës së tre dekadave të gjysmë.
Ky me punonjës bankas ishte në fakt sondazhi dytësor i Revistës Monitor. Sondazhi kryesor ishte me lexuesit e saj dhe rezultatet e sondazhit tregojnë njëkohësisht profilin e qytetarit në protestë dhe, përmes mospjesëmarrjes në sondazh, profilin e qytetarit që nuk ka dalë në protestë ose, që nuk ka dalë ende. Sondazhi është Raportim mbi qytetarët e angazhuar (ECR) dhe nuk synon të jetë sondazhi i zakonshëm që pasqyron opinionet e të gjithë shoqërisë. Por sondazhi ka gjasa reflekton në masë të konsiderueshme opinionin e lexuesve të Monitor të angazhuar. Lexuesi i Monitor, sipas hamendësimit më të arsyeshëm, është një qytetar i një niveli të caktuar shoqëror e intelektual. Revista merret me raportime kryesisht nga çështjet ekonomike, të cilat nuk përfshihen në interesin e shoqërisë së gjerë.
Në këtë kontekst, mund ta nisim nga ata që mungojnë. Ata që mungojnë në sondazhin e Monitor janë në radhë të parë pensionistët dhe më gjerë qytetarët e moshës së tretë. Pjesëmarrësit në peticion janë vetëm 5.1% mbi moshën 60 vjeç ndërsa në popullsinë totale, kjo grupmoshë përfaqëson 30% të kombit. Pensionistët në fakt janë shumë pak të pranishëm edhe në protestat e përditshme. Në sondazh është e mbipërfaqësuar propullsia 30-49 vjeç, e cila, në sondazh përbën 64% të popullsisë ndërsa në realitet përbën 24%. Nuk ka të dhëna mbi shpërndarjen gjeografike të të anketuarve por është fort e arsyeshme të mendojmë se popullsia fermere apo ajo jashtë Tiranës e Durrësit është e nënpërfaqësuar.
Sa i përket profesioneve, qartazi në protestë janë ajo pjesë e shoqërisë që ka luksin të mos jetë e varur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qeveria apo që mund të mbijetojë përballë dhunës persekutuese të patronazhistëve. Profesionet e lira, pra shqiptarët e vetëpunësuar janë grupi më i madh, pasuar nga punonjësit e sektorit financiar, pasuar nga biznesi privat.
Këtu mund të dallohet edhe “defekti” i Revolucionit të Flamingove, fakti që tre grupe shoqërore të rëndësishme, pensionistët, punëtorët e pakualifikuar apo gjysmë të kualifikuar si dhe popullsia fermere apo gjysmë fermere e vendit, janë ende të pa “revolucionarizuara”. Gjasat janë që në muajt në vijim, këto pjesë të popullsisë shqiptare do të fillojnë të angazhohen politikisht.
Por thelbi i profilit të protestuesit është se, ndryshe nga sa argumentojnë disa mbështetës të Ramës, (njëri prej tyre i cilësoi protestuesit si “tufë budallenjsh”) fakti është që pjesa më e arsimuar e vendit, përfshirë punonjësit e bankave, e kanë lëshuar certifikatën mortore të politikës së vjetër.
Anglezët kanë një shprehje që George Orwell e ka vendosur në hyrje të romanit Dalje për ajër. “Ai ka vdekur, por refuzon të qëndrojë shtrirë”. Politikisht kjo duket se është e vlefshme për Edi Ramën.
Marrë nga Diaryoftirana.com