Në “Arenën Kombëtare”, në orën 20:00, do të luhet derbi i kryeqytetit, Tirana – Partizanit, pa dyshim përballja më e rëndësishme e javës së 33-të të Kategorisë Superiore.
Partizani, që ndodhet në vendin e katërt, synon të sigurojë një pozicion në ‘Final Four’, ndërsa për Tiranën, e fundit në klasifikim, është një ndeshje vendimtare për mbijetesën.
Në këtë sfidë pritet që protagonistët kryesorë të jenë golashënuesit më të mirë të secilës skuadër. Për Tiranën, Walid Jarmouni ka realizuar 10 gola këtë sezon, ndërsa për Partizanin, Archange Bintsouka ka shënuar 6 herë.
Një tjetër element interesant i këtij derbi është prezenca e talentëve të rinj në fushë. Emiljano Mihana dhe Serxho Vogli, të dy 17-vjeçarë, janë ndër lojtarët më të rinj të këtij edicioni dhe pjesë e Kombëtareve të moshave, duke pasur një mundësi të artë për të treguar aftësitë e tyre në këtë sfidë të madhe.
Të dyja skuadrat kanë pasur në dispozicion nga 37 lojtarë gjatë këtij sezoni. Te Tirana janë aktivizuar 29 prej tyre, ndërsa te Partizani 32. Ky do të jetë derbi i parë i këtij sezoni për trajnerin e ri të Partizanit, Skënder Gega, ndërsa për trajnerin e Tiranës, Bledi Shkëmbi, do të jetë i treti. Tri sfidat e para të këtij sezoni janë mbyllur në barazim dhe mbetet të shihet se si do të përfundojë derbi i katërt sezonal.
Tirana – Partizani nuk është thjesht një ndeshje, por një traditë e madhe e futbollit shqiptar. Me atmosferën elektrizuese që pritet në stadium dhe rivalitetin historik mes dy klubeve, ky derbi do të jetë një mbrëmje për t’u shijuar nga të gjithë tifozët e futbollit.
Një tjetër ndeshje interesante luhet në ‘Egnatia Arena’ (17:00) mes Egnatias dhe AF Elbasanit. Rrogozhinasit janë në vendin e parë me 58 pikë dhe me një fitore të mundshme do ta thellonin në 6 pikë diferencën me Dinamon ndjekëse.
Nga ana tjetër. AF Elbasani synon maksimumin e pikëve duke shpresuar që Partizani të mos fitojë me Tiranën në derbi, për të rritur shpresat për pjesëmarrjen në ‘Final Four”.