Rrjeti publik gjerman, ZDF, i ka kushtuar një reportazh nisjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Sipas ZDF, Shqipëria ka bërë një hap të vogël drejt BE, por thekson se korrupsioni mbetet një problem shumë serioz.
Rrjeti gjerman thekson se shumëkush e fajëson kryeministrin Edi Rama për këtë gjë.
“Në të njëjtën kohë, opozita dhe aktivistët e akuzojnë atë se e ka kthyer vendin në një autokraci për njëmbëdhjetë vjet. Zemërimi i tyre lëshohet rregullisht në mbledhjet e qeverisë ose në protesta, ku ndonjëherë hidhen kokteje molotov. Në Shqipëri ka ndarje të thella mes qeverisë dhe opozitës, thotë Džihić. Megjithatë, aftësia e dy palëve për t’u përfshirë në dialog luan një rol vendimtar në rrugën e vendit drejt BE-së,” thekson ZDF.
Gjithashtu në reportazh thuhet se shumë të rinj po e braktisin vendin e tyre.
“Vendi gjithashtu vazhdon të luftojë me mungesën në rritje të fuqisë punëtore pasi shumë të rinj shqiptarë largohen nga atdheu i tyre, më shumë se 800,000 në 10 deri në 15 vitet e fundit. Kompanitë duhet të tërheqin punëtorë nga Azia ose Afrika, veçanërisht për sektorin e turizmit në zhvillim. Shqipëria, me një pagë mesatare për orë prej 2.50 euro në orë, është shumë larg standardeve të BE-së,” raporton televizioni gjerman.
Marrë nga Dosja.al