Prej vitit 2020, laboratorët mjekësore pranë spitaleve universitarë, rajonalë dhe lokalë, janë dhënë me koncesion për 10 vite. Një konsorcium firmash me seli në Shqipëri, Holandë dhe Francë janë shpallur fitues, teksa emri i firmës koncesionare është “Laboratory Networks”. Kostoja totale që do të marrin këto firma nga shteti është plot 130 milionë euro, teksa në marrëveshje parashikohet se pavarësisht se shërbimi i është dhënë privatit, spitalet duhet të ndihmojnë firmën.
Por, deri në atë njoftim nuk janë ndërmarrë veprime të publikuara, si marrja nën hetim, të pandehur apo edhe masa sigurie. Nëse do të zbërthehet ai njoftim, do të thotë se “të gjithë personazhet janë nën hetim”. Që nga zyrtarët, e ulët, mesëm apo të lartë. I gjithë zinxhiri po hetohet, madje edhe vendosja e firmës nga titullari i Ministrisë së Shëndetësisë.
Nëse do të ndalemi te raporti i KLSH-së, aty thuhet se janë kallëzuar 7 anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë, ku po verifikohet edhe roli i ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tashmë ministre e Arsimit. Ata, anëtarët e komisionit dhe ministrja, kualifikuan fituesin, megjithëse s’e meritonte.
I tillë është rasti i Spitalit Rajonal të Beratit, i cili ka hapur një tender në shërbim të laboratorëve. Drejtori Arben Konomi ka hapur procedurën me objekt “blerje materialesh konsumi laboratorik dhe alkool mjekësor”. Loti i parë është blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik për Kuçovën. Loti i dytë është “blerje tubave/sistemeve të marrjes së gjakut (në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve). Loti i tretë është për blerje materiale për marrjen e mostrave të anatomisë patologjike, sërish në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve. Loti i katërt është blerje alkool mjekësor.
Fondi për të katërt lote është rreth 100 mijë euro, sëbashku e TVSH-në, teksa kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 12 muaj nga lidhja e marrëveshjes kuadër.
Spitali Rajonal i Beratit shkruan se ka marrë disa udhëzime edhe në janar 2025, dërguar në formë elektronike me datë 29 janar 2025 nga Ministria e Shëndetësisë “për lejimin e prokurimit për blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik”.
Por, si mund të “detyrohen” këto spitale të ndihmojnë firmën koncesionare?! Nga njëra anë ato lëngojnë për fonde e nga ana tjetër duhet t’i shërbejnë firmës, e cila nga viti në vit del me fitime.
Në këtë vit ka publikuar dokumentin e mësipërm ku shkruan se “vendosëm që fitimi i vitit fiskal 2023 për vlerën prej 151.038.412 lekë të mbahet pre rezerva të tjera”.
“Aksionerët vendosën që fitimi i vitit 2022 për 115.706.987 lekë të mbahet për investime” thuhet në këtë dokument.
Një kompani që ka vënë “në rresht” shtetin, ku detyron Spitalet Universitarë, Rajonalë apo lokalë, t’a ndihmojnë del me fitime miliona eurosh. Madje, merr para “të thata”, teksa “urdhëron” edhe stafet e disa spitaleve të mos bëjnë më shumë analiza se “është arritur kuota”. Një paradoks i madh, por duket se “leja” është e vetë shtetarëve.
Marrë nga VoxNews.al