Përdorimi i platformës MIRA (Matrica e Inteligjencës dhe Analizës së Riskut) ka ndikuar në prioritizimin e inspektimeve nga ana e Inspektoratit të Punës gjatë vitit 2024. Teknikat e avancuara të Inteligjencës Artificiale, si data mining dhe machine learning, kanë ndikuar drejtpësëdrejti në planifikim të zgjuar dhe në dërgimin e inspektimit të punës në subjekte me risk potencial në moszbatimin e dispozitave ligjore të legjislacionit të punës.
Sipas Inspektoratit, planifikohen inspektime me bazë risku në 52% të punëmarrësve që kryejnë punë të pasiguruar në skemën e sigurimeve shoqerore e shëndetësore, në 57% të punëmarrësve që kryejnë punë pa lidhur kontrata pune, në 74% të punëmarrësve që paguhen me pagë minimale për punën e kryer, si efhe 67% e punëmarrësve që nuk paguhen për orët e punuara mbi kohën normale të punës.
Në planifikimin vjetor të inspektimeve, risku potencial për informalitetin në të gjitha format e shfaqjes së tij është projektuar në 48% e subjekteve.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2024 u inspektuan 190,340 vende pune në 9,860 subjekte, me një rritje të inspektimeve në subjekte të reja në masën 22% të total inspektimeve të realizuara. Një fokus i veçantë iu kushtua zbatimit të ligjeve për punëmarrësit nën 18 vjeç, të huajt, personat me aftësi ndryshe dhe gratë shtatzëna.
Informaliteti i shfaqur në të gjitha format e tij ka qenë në qendër të proceseve inspektuese me fokus të shtuar në sektorë të veçantë. Janë konstatuar 2600 punëmarrës informalë, 1,058 ose 32% më shumë se një vit më parë, për të cilët është formalizuar marrëdhënia e punësimit brenda procesit inspektues, përmes masave ligjore të marra nga inspektorët e punës. Janë konstatuar të punojnë 3952 punëmarrës pa kontrata individuale ose 58% më shumë se viti 2023.
Rezultatet nga formalizimi i punëmarrësve informal përllogariten rreth 28,536,000 lekë/muaj kontribut i shtuar në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që krahasimisht me mesataren e tre viteve të fundit është 11,807,280 lekë më shumë vetëm në 1 muaj.
Në lidhje me sanksionet, për shkeljet flagrante, të rënda ose të përsëritura, janë vendosur 210 gjoba me vlerë 53,790,000 lekë, një rritje prej 42% në numër dhe 25% në vlerë krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm 21 % e gjobave u ankimuan, shifër kjo më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme.
Gjykata ka lënë në fuqi 100% të vendimeve të inspektimit dhe 45% e gjobave janë likuiduar vullnetarisht, 10% më shumë se vitin e kaluar. Nga 20 vendimet e ankimuar në Gjykatë, në 100% të rasteve vendimet e Komisionit të Ankimit u mbështetën nga gjykata.
Marrë nga Ekofin.al