Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje shteteve anëtare të rrisin stoqet e pajisjeve kritike dhe të inkurajojnë publikun që të rezervojë të paktën 72 orë furnizime në rast urgjence. Komisioni i BE-së ka ndarë me publikun strategjinë e re të gatishmërisë për kërcënime dhe sfida komplekse si fatkeqësitë natyrore , luftërat apo krizat gjeopolitike.
Sipas strategjisë, Evropa do të jetë më e përgatitur për kriza. Në kohë krize do të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve bazë sociale. Në këtë kontekst, do të zhvillohen kriteret minimale të gatishmërisë për shërbimet thelbësore si spitalet, shkollat, transporti dhe telekomunikacioni. Stoqet e pajisjeve dhe furnizimeve kritike, përfshirë ujin, do të rriten në vendet anëtare.
Publiku do të jetë më i përgatitur për emergjencat. Në këtë kontekst, publiku do të inkurajohet të mbajë furnizime dhe nevoja bazë që do të zgjasin të paktën 72 orë në rast emergjence. Mësimet se çfarë duhet bërë për t’u përgatitur do të integrohen në kurrikulën shkollore dhe do të inicohet një ditë gatishmërie.
Koordinimi në përgjigje të krizave do të përmirësohet. Një Qendër e Krizave të BE-së do të krijohet për të përmirësuar integrimin midis strukturave ekzistuese të krizës në BE. Bashkëpunimi civil dhe ushtarak do të forcohet. Ushtrime të rregullta gatishmërie do të mbahen në të gjithë BE-në, duke bashkuar forcat e armatosura, mbrojtjen civile, policinë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe zjarrfikësit.
Do të zhvillohet një vlerësim gjithëpërfshirës i rrezikut dhe kërcënimit për të ndihmuar në parandalimin e krizave të tilla si fatkeqësitë natyrore ose kërcënimet hibride.
Protokollet e emergjencës për bizneset do të zhvillohen për të siguruar disponueshmërinë e shpejtë të materialeve, mallrave dhe shërbimeve thelbësore dhe për të siguruar linjat kritike të prodhimit.
Marrë nga NTV.com.tr