Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltisë” Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë, Kanada u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.
Carney: Nuk ka kthim prapa
Kanadaja dhe SHBA-ja – para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.
Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike
Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. “Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar,” u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.
Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon “respekt” për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si “guvernator” të një “shteti të 51-të” të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.
Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. “Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim “ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”.
Marrë nga Deutsche Welle