Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 prill mbahet seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë, kundër Vladimir Toliçit, Bllagoje Spasojeviçit dhe Dushan Maksimoviçit.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Milan Radoiçiçin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.
Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.
Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.
Një vendim i tillë ende nuk është marrë.
Ndryshe, në seancën përgatitore të 9 tetorit 2024, dy të akuzuarit, Vladimir Toliç dhe Bllagoje Spasojeviç, refuzuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, ndërsa Dushan Maksimoviç u deklarua i pafajshëm.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Milan Radoiçiç, Bllagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç, Vlladimir Radivojeviç, Uglesha Jarediç, Milorad Jevtiç, Vlastimir Andriç, Aleksandar Millosavleviç, Llazar Shmigiç, Velko Gjorgjeviç, Vladimir Vuçetiç, Stefan Jovanoviç, Milovan Kërstoviç, Urosh Miliç, Trajko Vasiç, Danillo Vasiç, Vukashin Jarediç, Sasha Periç, Nemanja Stankoviç, Momçillo Vuçkoviç, Stefan Radojkoviç, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Kërsto Damjanoviç, Stefan Milosavleviç, Marko Saviç, Aleksandër Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubac, Nemanja Radivojeviç, Radak Axhiç, Millosh Milenkoviç, Gjorgje Balloviç, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviç, Aleksandër Tanaskoviç, Millosh Kragoviç, Milan Nedelkoviç, Nikolla Iliç, Vlladan Iliç, RAD D.O.O. dhe Radule Steviç.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Milan Radoiçiç, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë