Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka komentuar kontratën e lobimit të PD-së në SHBA. Bëhet fjalë për kontratën e lobimit me kompaninë amerikane “Continental”, me vlerë 6 mln dollarë, për të cilën Celibashi tha se deri më tani, KQZ nuk e disponon.
Në një konferencë me gazetarët ditën e sotme, Celibashi sqaroi se në këtë moment nuk ka asnjë detyrim ligjor për t’ia këkruar PD-së dokumentin, pasi siç shpjegoi ai, subjektet zgjedhore kanë detyrimin të dorëzojnë çdo dokument brenda 60 ditëve nga shpallja përfundimtare e rezultatit të zgjedhjeve.
Kryekomisioneri thekson se do të japin vlerësimin përkatës kur ta kenë në dorë, ndërsa për momentin nuk mund të komentojë më tepër për këtë çështje.
“Partitë kanë për detyrim të dorëzojnë raportin e të ardhurave deri më 31 mars të vitit pasardhës. Ndërkohë, subjektet zgjedhore duhet të dorëzojnë çdo dokument brenda 60 ditëve nga shpallja përfundimtare e rezultatit të zgjedhjeve. Pas këtij afati, nuk kanë më detyrim të depozitojnë dokumente mbi të ardhurat apo shpenzimet e tyre. Aktualisht, ne nuk e kemi kontratën për të cilën bëhet fjalë dhe nuk mund t’ia kërkojmë PD-së në këtë moment. Nëse do ta marrim, do të japim vlerësimin tonë. Për momentin, nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë”, tha Celibashi.
Marrë nga Newsbomb.al