Aktori i njohur italian Remo Girone ka ndërruar jetë papritur në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e tij në Monako, ku jetonte prej vitesh me bashkëshorten, Vittoria Zinny.
I lindur në Asmara, Eritre, në vitin 1948, Girone ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër, televizion dhe kinematografi. Ai ka bashkëpunuar me regjisorë të mëdhenj si Ettore Scola dhe Peter Greenaëay, por famën më të madhe e fitoi falë serialit legjendar italian ‘La Piovra 3’, ku që nga viti 1987 interpretoi figurën e paharrueshme të Tano Cariddi-t.
Ky personazh-simbol i korrupsionit dhe i lidhjes së errët mes mafies dhe botës së financës – e shndërroi Gironen në një ikonë të ekranit të vogël.
Në vitet e fundit, Girone tregoi edhe një herë aftësinë për t’u përshtatur e për t’u ringjallur artistikisht: nga komedia e suksesshme ‘Ma cosa ci dice il cervello’, te superproduksioni hollyëoodian ‘Le Mans ’66 – La grande sfida’, ku interpretoi figurën e Enzo Ferrarit. Më vonë u shfaq edhe në ‘The Equalizer 3 – Senza tregua’, duke dëshmuar se talenti i tij mbeti i gjallë deri në fund.
Me ndarjen nga jeta të Remo Girone, kinematografia dhe televizioni italian humbin një aktor të jashtëzakonshëm, që la pas një trashëgimi artistike të pasur dhe të paharrueshme.
Marrë nga Syri.net