Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić ka njoftuar uljen me 40% të akcizave për produktet e naftës, si një masë për të frenuar rritjen e çmimeve në treg dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për qytetarët.
Sipas Vuçiç, vendimi do të ketë ndikim të ndjeshëm në të ardhurat e shtetit, pasi akciza nga nafta përbën një nga burimet kryesore të buxhetit, me rreth 2 miliardë euro në vit. Ai theksoi se masa është “e dhimbshme për shtetin”, por e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe për të shmangur presionin mbi qytetarët.
Një javë më parë, Serbia kishte ndërmarrë një ulje prej 20% të akcizës, ndërsa ulja e re e thellon më tej politikën fiskale lehtësuese në sektorin e karburanteve.
Autoritetet serbe deklarojnë se, përkohësisht, shteti po heq dorë nga një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave fiskale, me qëllim zbutjen e ndikimit të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
Masat vijnë në një kohë kur çmimet globale të naftës janë ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, përfshirë luhatjet në transportin detar përmes ngushticave strategjike.
Në rajon, lëvizje të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga vende të tjera për të kontrolluar çmimet e karburanteve, mes presioneve të vazhdueshme inflacioniste.
Marrë nga NOA.al