Me kapital kompanie 11 mijë euro dhe pa asnjë aktivitet ndërtimi, ish-banori i ‘Big Brother’ kërkoi dhe mori lejen për kullë 33 kate mbi tokë e 4 nën tokë në qendër të Vlorës; e trajtuar në KKT brenda 1 jave.
Linja e qokave për leje kullash, hotelesh e resortesh për oligarkë e politikanë të PS-së, të maskuara pas personazheve të ekranit e showbizit, është një nga marifetet që po përdor kryeministri Edi Rama vitet e fundit.
Të njëjtën skemë ka përdorur me lejen për kullë 33 kate mbi tokë e 4 kate nën tokë në qendër të Vlorës, dhënë kompanisë “DGC”, të krijuar më 28 shkurt 2024, me kapital rreth 11 mijë euro.
Kjo kompani u krijua nga komiku dhe ish-banori i “Big Brother”, Donald Veshaj, dhe Glenis Çobo, me nga 50% aksione secili; të cilët, thuhet se në dhjetor 2024 i kanë shitur 50% të aksioneve për 5000 euro kompanisë “Anchor Investment” në pronësi të Albi Shytit, por pa e pasqyruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kompania “Eurocol” e Pandeli Carapulit, mik i kryeministrit Edi Rama dhe ndërtues i sarajeve të tij në Surrel, rezulton të jetë sponsorizuese e aktivitetit të komikut Donald Veshaj dhe e platformës “X Media” në pronësi të vëllait Romeo Veshaj.
Ndërsa ortaku i Donald Veshajt në kompaninë “DGC”, që ka aplikuar për lejen e kullës në Vlorë, Glenis Çobo, është dhëndri i deputetit të PS-së në Vlorë, Vullnet Sinaj, pronar i “Big Market”.
Nuk është rastësi që dy persona pa asnjë lidhje me biznesin e ndërtimit, që kanë vetëm 11 mijë euro kapital dhe prej themelimit të kompanisë nuk kanë aktivitet e bilanc tatimor, kërkojnë të ndërtojnë kullë 33 kate mbi tokë e 4 kate nëntokë me vlerë investimi miliona euro.
Provave që zbulojnë faktin se pas lejes së ndërtimit të kullës që kanë kërkuar komiku Veshaj dhe ortaku i tij Çobo qëndrojnë Pandeli Carapuli dhe deputeti Vullnet Sinaj i “Big Market”, i shtohet edhe fakti që kërkesa për lejen e kullës është trajtuar në mbledhjen e KKT-së të datës 29 prill 2026, vetëm 1 javë pasi është dorëzuar kërkesa.
Në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) nuk janë publikuar vendimet për lejet e ndërtimit që janë miratuar në mbledhjen e datës 29 prill 2026, ku është dhe leja e kullës “Veshaj”, por pavarësisht se mbahet e fshehtë, populli thotë: “Minareja nuk futet në thes”.
Edhe nëse kjo kullë është vërtet investim i komikut Donald Veshaj dhe ortakut të tij Glenis Çobo, “mister” është burimi i milionave që do të financojnë për këtë kullë dhe pronësia e tokës në qendër të Vlorës.
Sepse Donald Veshaj figuron me pagë 34 mijë lekë në muaj si prezantues programi televiziv, ndërsa ortaku i tij Glenis Çobo, dhëndër i deputetit Vullnet Sinaj, nuk figuron i punësuar.
Madje Donald Veshaj nuk ka aktivitet financiar të deklaruar në Tatime e QKB, as për kompaninë “On Frame Film Production” sh.p.k. në ortakëri me bashkëshorten Borana Zemani, dhe as për kompaninë e saj “Zemani Z” sh.p.k., me aktivitet tregtimi veshjesh e produkte sportive.
Marrë nga Pamfleti.net