Një grup qytetarësh dhe profesionistësh të rinj, të organizuar në platformën “Discord” sollën në protestën e radhës një formë të pazakontë komunikimi.
Përmes një projektori, ata shfaqën mesazhe që imagjinojnë Shqipërinë pas 10–20 vitesh, si një vend ku kërkesat e ngritura gjatë protestës janë bërë realitet.
Nisma, e cila sjell në vëmendje problemet e së tashmes, projekton të ardhmen e një Shqipërie ku qyetarët janë duke shijuar të drejtat themelore të tyre.
“Pas 10 ose 20 vjetësh, kur kjo ngjarje të bëhet pjesë e historisë së Shqipërisë, unë t’ju shpjegoj nxënësve të mi që arritjet që Shqipëria ka pas 10-20 vjetësh, janë edhe për shkak të kësaj proteste”, u shpreh Arian Zhuli, me profesion mësues historie, një ndër anëtarët e grupit.
Në ekran u projektuan mesazhe që flisnin për pensione dinjitoze, një sistem shëndetësor me standarde europiane, arsim të bazuar në meritokraci, sindikata funksionale që mbrojnë punëtorët dhe zgjidhjen e çështjes së pronave.
“Ne u ngritëm, ne nuk qëndruam indiferentë për pensionet që pas 10 ose 20 vjetësh gjyshërit e tyre i kanë më të mira dhe janë në të njëjtën stad jetese apo mënyrë jetese si bashkëmoshatarët e tyre në Evropë”, u shpreh Arian Zhuli për Citizens.al.
Sipas Zhulit, ndryshimet që kërkon protesta nuk lidhen vetëm me një çështje të vetme, por me mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqëria.
“Që arsimi është i bazuar mbi meritokraci, mbi zhvillim dhe mbi dije për shkak të kësaj proteste që u ngritëm sot. Që ka sindikata që përfaqësohen njerëzit kur ju shtypet e drejta dhe njerëzit ta ndjejnë veten e tyre të përfaqësuar”, tha Zhuli mes të tjerash.
Ndërsa nuk ngurroi të sillte në vëmendje edhe nevojën për të zgjidhur cështjen e pronave në Shqipëri, ndërsa në ekran dilnin qytetarë të cilët përshëndesnin nga ballkoni i shtëpive të tyre “flamingot” që marshonin në orët e vona të natës së verës 2026.
Për Arianin, platforma “discord” gjatë protestës “Revolucioni i Flamingove” është kthyer në një hapësirë ku qytetarë të zakonshëm bashkëpunojnë për të ndërtuar forma të reja proteste dhe për të dhënë kontributin e tyre, pavarësisht nëse janë apo jo të prirur të flasin publikisht.
“Jemi qytetarë të thjeshtë, pa asnjë prapavijë. Kjo u jep mundësi edhe atyre që nuk ndihen rehat të marrin mikrofonin, ta shprehin mendimin e tyre dhe zëri i tyre të dëgjohet në një mënyrë tjetër,” tha ai.
Përmes kësaj nisme, organizatorët synuan të përcillnin idenë se protesta nuk është vetëm reagim ndaj së tashmes, por edhe një përpjekje për të ndërtuar një vizion kolektiv për Shqipërinë që qytetarët duan t’u lënë brezave të ardhshëm.
Marrë nga Citizens.al