Vrasja e 65-vjeçarit Viktor Bardhi në Ndërfushaz të Mirditës ka rikthyer vëmendjen te një konflikt i gjatë mes familjeve Reçi dhe Bardhi, i cili ndër vite ka prodhuar një seri viktimash dhe atentatesh.
Bardhi u qëllua për vdekje në orët e para të mëngjesit, teksa udhëtonte me automjetin e tij drejt Ndërfushazit, ku punonte në ujësjellës dhe do të kryente detyrën e hapjes së një cisterne uji, sipas të dhënave të përfshira në materialin hetimor.
Autorët, që dyshohet se ishin dy persona, i zunë pritë automjetit dhe hapën zjarr. Disa prej plumbave goditën Bardhin, duke e lënë të vdekur në vend. Trupi i tij u gjet brenda automjetit pasi banorë të zonës njoftuan policinë.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, tha se automjeti i përdorur nga autorët ishte gjetur në fshatin Munaz të Rubikut, ndërsa armët e përdorura në atentat nuk ishin gjetur në automjet. Një person ishte shoqëruar në kuadër të hetimeve, sipas policisë.
Viktima ishte pjesë e familjes Bardhi dhe kishte humbur më parë vëllain e tij, Martin Bardhi, i vrarë në shtator 2023, si dhe nipin e tij, Kristjan Bardhi, alias Marku, i vrarë në janar 2025.
30 vjet hakmarrje
Por në orët e para të mëngjesit, dy ekzekutorë të pozicionuar në dy drejtime të ndryshme qëlluan mbi automjetin e tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Lidhur me ngjarjen, drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, konfirmoi zyrtarisht zbulimin e mjeteve të autorëve:
“Makina e atentatorëve është gjetur e braktisur në fshatin Munaz të Rubikut, por armët e përdorura nuk ndodheshin brenda. Në kuadër të hetimeve, një person është shoqëruar në polici”, deklaroi Muça.
Eliminimi i 65-vjeçarit nuk ishte një ngjarje e izoluar, por kapitulli më i fundit i një sage gjakatare që po shuan me radhë burrat e familjes Bardhi.
Llogaritja e viktimave të drejtpërdrejta nga përplasja mes dy fiseve tregon një shkallëzim mbytës të dhunës, ku tre nga katër ekzekutimet kanë ndodhur brenda një harku kohor prej më pak se dy vitesh:
E gjithë saga nisi pas rënies së regjimit komunist, kur dy fiset dominuese, Reçi dhe Bardhi, po matnin influencën e tyre në Rrëshen. Më 1 maj 1995, 20-vjeçari Ilir Reçi kërcënoi një nga vëllezërit Bardhi, duke deklaruar se Rrësheni ishte territor i tyre dhe se asnjë anëtar i familjes Bardhi nuk duhej të shkelte më aty.
Pjetër Bardhi, një oficer ushtrie në Shkodër dhe vëllai i madh i familjes, reagoi me egërsi.
Ai la vendin e punës, udhëtoi drejt Rrëshenit, kërkoi Ilir Reçin dhe e ekzekutoi atë me armën e shërbimit në mes të qytetit. Pjetri u arratis menjëherë pas ngjarjes. Edhe pse u dënua në mungesë, dënimi i tij u parashkrua me kalimin e viteve pa u arrestuar kurrë nga autoritetet.
Përplasja nuk u mbyll me atë vrasje. Për vite me radhë, konflikti mbeti nën sipërfaqe, për t’u rishfaqur hapur në vitet e fundit.
Më 26 mars 2023, Saimir Reçi u plagos në një incident që, sipas hetimeve, dyshohet se shënoi rikthimin e përplasjeve të drejtpërdrejta mes dy familjeve.
Ngjarja nisi pasi Erind Bardhi alias Marku, së bashku me një person tjetër, po lëvizte me automjet pranë banesës së familjes Reçi dhe po filmonte ambientin përreth.
Saimir Reçi ndoqi automjetin dhe pati një përplasje fizike me personat që ndodheshin brenda tij. Më pas, sipas hetimeve të përmendura, pjesëtarë të familjes Bardhi i zunë pritë Reçit në qendër të Rrëshenit, duke qëlluar me armë drejt makinës së Saimir Reçit, i cili shpëtoi vetëm falë xhamit antiplumb.
Ndonëse Reçi akuzoi Martin, Kristjan dhe Erind Bardhin, hetimet e Prokurorisë së Lezhës përcaktuan se i vetmi qitës ishte Erind Bardhi. Gjykata e liroi Martin Bardhin nga paraburgimi duke i caktuar masën “detyrim paraqitjeje”, një liri që zgjati vetëm dy muaj.
Më 26 shtator 2023, Martin Bardhi u ekzekutua brenda lokalit të tij, pak metra larg komisariatit të policisë së Rrëshenit, ku mbetën të plagosur edhe nipi i tij Indriti dhe dy miq të tjerë.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit pas ekzekutimit të Martin Bardhit, Saimir Reçi dha këtë dëshmi zyrtare për të provuar alibinë e tij:
“Në orën 07:10 jam zgjuar nga gjumi dhe jam marrë me një kabllo korrenti tek shtëpia ime, pasi kishte defekt. Kjo ka ndodhur deri rreth orës 08:30. Më pas unë thirra shtetasin Gon Arapi, për të rregulluar kabllorin e internetit dhe u ula bashkë me të në verandën e shtëpisë duke pirë kafe. Gjatë kohës që isha duke pirë kafe, ne dëgjuam krisma arme në qytet, aty mësova dhe për ngjarjen”, thuhet në dosjen hetimore.
Seria e eliminimeve vazhdoi më 13 janar 2025. Kristjan Bardhi (alias Marku), 30 vjeç, i cili gjithashtu ruhej me koshiencë për shkak të kërcënimeve, po udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë. Në fshatin Novoselë, automjeti i tij, Volkswagen, u qëllua nga një tjetër makinë në ecje. 10 plumba nga një breshëri e gjatë e goditën në trup, duke e lënë të vdekur në vend.
Me ekzekutimin e sotëm të Viktor Bardhit, bilanci i luftës shkon në 4 të vrarë, ndërsa Rrësheni dhe rrethinat e tij mbeten peng të një cikli hakmarrjeje ku vendimet e gjykatave shpesh zëvendësohen nga plumbat e atentatorëve.
Marrë nga Shteg.org