Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti me elementë të ekstremizmit të djathtë, arriti fitore të konsiderueshme në zgjedhjet e landeve Berlin dhe Mecklenburg-Pomerania Perëndimore(MV), por ajo do të mbetet në opozitë, pavarësisht rezultateve shumë të mira.
Në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, AfD doli parti e parë me 38.2 përqind të votave, sipas rezultateve paraprake përfundimtare. AfD ka fituar më shumë se partia Socialdemokrate (SPD) të Kryeministres Manuela Schwesig.
Edhe para se të shpalleshin rezultatet e para, bashkëkryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, deklaroi në televizionin ARD: “Ne kemi një mandat të qartë për të qeverisur këtu”. AfDdo t’u ofrojë bisedime të gjitha partive. Lideri i AfD-së pret që kancelari Friedrich Merz të japë dorëheqjen; “Dorëheqja do të ishte vërtet një lehtësim për këtë vend”. Por Merz ka refuzuar menjëherë dorëheqjen.
AfD dyfisoi gati votat edhe në Berlin, por pritjet e saj ishin edhe më të mëdha. Qëllimi i AfD ishte të dalë partia e parë, por ajo ka zënë vendin e tretë, pas partisë E Majta dhe CDU.
AfD: “Ne jemi partia e re popullore!”
Meqenëse Kristiandemokratët (CDU) pësuan humbje të mëdha në të dyja landet, kryetarja e partisë AfD-së, Alice Weidel, e sheh tashmë partinë e saj si pasardhëse të CDU-së. Në televizionin ZDF, Weidel deklaroi: “Ne jemi partia e re popullore në Gjermani.”
Weidel akuzoi Kristiandemokratët, nën kryetarin e tyre dhe Kancelarin Friedrich Merz, për shkak të distancimit të ashpër nga AfD: “Po zhvillojmë bisedime, por ata kanë ngritur mure mbrojtëse.”
Weidel nuk shpjegoi se si mund të dukeshin bisedimet konkrete me partitë e tjera pas sukseseve zgjedhore të AfD-së.
Sidomos pas fitores triumfuese zgjedhore të AfD-së në landin Saksoni-Anhalt më 6 shtator, u bë e qartë se partia e krahut të djathtë e ka shumë vështirë të gjejë partnerë për koalicion politik, Në këtë land, AfD humbi për pak shumicën absolute të vendeve në parlament, ndaj i duhet një partner. Por deri tani asnjë parti tjetër nuk do të futet në koalicion me AfD.
AfD pa shumicë
Kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, deklaroi se do të drejtonte vetëm një qeveri të qëndrueshme të AfD-së. Ai përjashtoi një qeveri minoritare. Ai kërkonte madje shumicën absolute, por nuk e fitoi.
Por tani po shihet qartë që atyre ju duhen edhe partnerë për koalicion. Ndaj mbetet të shihet se si do të pozicionohen krerët e AfD por edhe të partive të tjera në të ardhmen.
Vetë Weidel ka ambicie për të pasuar Friedrich Merz si Kancelare. Ajo ishte kandidatja e partisë së saj për Kancelare në zgjedhjet e fundit federale. Shumë zyrtarë të lartë të AfD-së e shohin atë përsëri në këtë rol në të ardhmen. Formimi i suksesshëm i ndonjë qeverie në lande, nën udhëheqjen e AfD-së, mund t’i japë kandidaturës së saj një mbështetje të fuqishme.
Megjithatë, ngritja e AfD shoqërohet edhe me protesta në rritje. Në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Berlin, aleanca të shumta u mobilizuan kundër AfD-së.
Skandalet e AfD-së
AfD gjeneroi tituj të shumtë negativë gjatë fushatave zgjedhore në Berlin dhe Mecklenburg-Pomerania Perëndimore: Në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, një politikan i AfD-së u detyrua të tërhiqte kandidaturën kur u bë e ditur se ai ishte një grabitës i dënuar bankash. Një kandidat tjetër tërhoqi kandidaturën, sepse kishte humbur patentën e drejtimit për shkak të drejtimit të makinës në gjendje të dehur.
Edhe në Berlin, pak para zgjedhjeve, u zbulua se janë gjetur drogë dhe suvenire naziste në shtëpinë e një punonjësi të kandidatit kryesor.
AfD ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen në të kaluarën për referencat e saj pozitive ndaj Nacionalsocializmit. Një anëtar i Parlamentit Evropian pozoi me dorën në zemër përpara të ashtuquajturit Führerbunker të Adolf Hitlerit. Ndërsa një anëtar i Bundestagut e përshkroi veten si “fytyra miqësore e Nacionalsocializmit”.
Björn Höcke, kryetari me ndikim i i AfD-së në Tyringji, është gjobitur dy herë për përdorimin e një slogani të “Sturmabteilung” (SA) famëkeq të Partisë Naziste të Adolf Hitlerit (NSDAP).
Marrë nga Deutsche Welle