Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar disa vendeve arabe të Gjirit Persik të përgatiten për mundësinë e një sulmi ushtarak të shkurtër, por veçanërisht të fuqishëm ndaj Iranit, pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Lajmi është raportuar nga The Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me diskutimet për këtë çështje.
Sipas raportimit, ushtria amerikane po ndërmerr lëvizje për të forcuar mbrojtjen e saj në Lindjen e Mesme. Mes masave të ndërmarra është zhvendosja e një baterie të sistemit kundërajror Patriot nga Teksasi drejt rajonit, si dhe largimi i personelit ushtarak nga bazat që konsiderohen më të ekspozuara ndaj sulmeve të mundshme iraniane.
Këto zhvillime interpretohen si sinjale se Uashingtoni dhe Izraeli po përgatiten për mundësinë e një raundi të ri përplasjesh ushtarake me Teheranin, në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta.
E pyetur për raportin, Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të konfirmonte apo të mohonte informacionin, duke deklaruar se nuk komenton mbi planet e ndjeshme ushtarake që mund të ekzistojnë ose jo.
Megjithatë, administrata amerikane riafirmoi qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj programit bërthamor iranian, duke theksuar se Trump i mban të gjitha opsionet në tryezë për të siguruar që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore.
Sipas The Wall Street Journal, planet e mundshme ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit mund të përfshijnë goditjen e objekteve bërthamore iraniane, infrastrukturës energjetike dhe sistemeve të armëve. Një operacion i tillë do të synonte dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Teheranit dhe shtimin e presionit ndaj udhëheqjes iraniane për t’u rikthyer në negociata.
Marrë nga Wall Street Journal