Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përgatisin një fushatë për arrestimin e Aleksandar Vuçiçit, pas kërkesave për marrjen e tij në pyetje lidhur me tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
“Premtuan terror revolucionar, dhe tani po shohim terror revolucionar”, shkroi ajo.
Brnabiç e krahasoi tragjedinë e Novi Sadit me shembjen e një pjese të çatisë së terminalit të aeroportit Charles de Gaulle në Francë, në vitin 2004, ku humbën jetën katër persona. Ajo ngriti pyetjen nëse, në atë rast, presidenti i atëhershëm francez, Jacques Chirac, do të ishte marrë në pyetje si i dyshuar.
“Qëllimi këtu është të heshtet dhe të largohet Aleksandar Vuçiçi, dhe jo të vihet drejtësia në vend”, deklaroi Brnabiç.
Ajo shtoi se Partia Progresive Serbe do të kundërshtojë atë që e cilësoi si “terror revolucionar”.
Deklaratat e Brnabiçit vijnë në një klimë tensionesh politike në Serbi, pas tragjedisë së Novi Sadit, e cila ka nxitur kërkesa për përgjegjësi dhe hetime mbi rrethanat që çuan në shembjen e tendës së stacionit hekurudhor.
Pretendimet për një plan për arrestimin e Vuçiçit janë deklarata të Brnabiçit dhe nuk përbëjnë, në vetvete, konfirmim zyrtar se një arrestim i tillë po përgatitet.
Marrë nga Vijesti.me