Më 28 tetor, Policia e Shtetit njoftoi ndalimin e një personi, procedimin penal të 17 të tjerëve dhe referimin e tetë rasteve të tjera për identifikimin e autorëve, në kuadër të hetimeve për publikime dhe thirrje të bëra gjatë protestave të të rinjve që prej 13 tetorit kishin përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit. Pas këtyre veprimeve qëndronte edhe një prej strukturave më të specializuara të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Antiterrorit, e cila, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë, kishte vënë nën vëzhgim publikimet në rrjetet sociale, thirrjet publike dhe pankartat e shfaqura gjatë protestave.
Përfshirja e Antiterrorit në identifikimin dhe hetimin e qytetarëve për aktivitetin e tyre gjatë protestave, në një kohë kur rrugët përballeshin me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, për ekspertët e sigurisë ngre pikëpyetje mbi shtrirjen e kompetencave të kësaj strukture, kriteret që kanë përcaktuar ndërhyrjen e saj dhe proporcionalitetin e masave të ndërmarra.
Njoftimi i Policisë së Shtetit u prit po ashtu me skepticizëm nga protestues, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ngritën shqetësime mbi kufirin mes hetimit të veprave penale dhe monitorimit të aktivitetit qytetar.
Përtej ligjshmërisë së publikimeve dhe përgjegjësisë individuale të personave të proceduar, shqetësimi lidhet me mënyrën se si mekanizmat e sigurisë shtetërore mund të veprojnë në një klimë përplasjesh të vazhdueshme mes qeverisë dhe protestuesve.
Ky mobilizim i strukturave policore vjen gjithashtu në një vend ku siguria kibernetike ka rezultuar vazhdimisht e cenueshme. Që prej vitit 2022, Shqipëria është përballur me të paktën tetë sulme të rëndësishme kibernetike, të cilat kanë ekspozuar dobësitë e institucioneve shtetërore, sistemeve publike dhe mekanizmave të mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve.
Mes sigurisë dhe kontrollit shtetëror
Një telefonatë nga Policia e Shtetit ishte kontakti i parë i Arjan Koçit me Drejtorinë e Antiterrorit. Aktiv që prej ditëve të para në protestat kundër qeverisë dhe në publikimin e videove e thirrjeve në rrjetet sociale, ai u thirr të paraqitej në ambientet e kësaj drejtorie për të dhënë shpjegime mbi aktivitetin e tij gjatë protestave.
Koçi thotë se iu përgjigj thirrjes pa hezitim dhe u paraqit i shoqëruar nga avokati. Por, sipas tij, ajo që nisi si një marrje deklarimi përfundoi në një përvojë që i shkaktoi frikë dhe pasiguri për sigurinë personale.
“Pranova pa hezitim, më thirrën dhe shkova me avokat, dhashë deklaratë, të cilën edhe e kanë ndryshuar, dhe dola jashtë”, rrëfen ai, duke pretenduar se deklarimi i tij nuk ishte pasqyruar saktë nga punonjësit e policisë.
Megjithatë, episodi që e shqetësoi më shumë ndodhi pasi, sipas tij, marrja në pyetje kishte përfunduar dhe ishte njoftuar se mund të largohej.
“Brenda, pasi iu përgjigja të gjitha pyetjeve, më thanë ‘je i lirë’, por kur dola, rreth 30-40 efektivë të Antiterrorit ishin jashtë. Njëri prej tyre më kapi nga krahu, ndërsa më tha: ‘Ku po shkon?’. Aty kam parë se ata kishin foton time të shpërndarë në WhatsApp. Aty ishte momenti që jam ndjerë i frikësuar dhe kam kërkuar që paratë e mbledhura në GoFundMe t’i përdorja për mbrojtjen time. Nuk ndihesha më i sigurt. Ka qenë ajo ditë që mendova se isha në rrezik”, thotë Koçi.
Përvoja e tij me Antiterrorin u pasua edhe nga një procedim penal. Policia e Shtetit e ka përfshirë Koçin në listën e personave të proceduar për thirrje publike për veprime të dhunshme gjatë protestave. Ai dyshohet gjithashtu se ka përdorur platformën GoFundMe për të mbledhur para, duke pretenduar në mënyrë të rreme se jeta e tij ishte në rrezik.
Koçi i kundërshton këto pretendime. Sipas tij, fondet nuk ishin rezultat i ndonjë pretendimi të rremë, por i një nisme të ndjekësve të tij, të cilët kishin vendosur ta mbështesnin financiarisht për angazhimin e tij në protesta. Ai e sheh procedimin penal edhe si një përpjekje për ta frikësuar dhe dekurajuar nga vijimi i këtij angazhimi.
“Ata duan të na trembin, të më dekurajojnë. Unë kam qindra mijëra ndjekës në Instagram që shohin videot e mia”, shprehet ai, duke këmbëngulur se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga protestat.
Shqetësimet për efektin që mund të kenë këto ndërhyrje mbi pjesëmarrjen qytetare shkojnë përtej rastit të Koçit. Angazhimi i Drejtorisë së Antiterrorit në hetimin e aktivitetit të protestuesve ka hapur debat mbi proporcionalitetin e përdorimit të strukturave të sigurisë dhe kufirin mes hetimit të veprave penale dhe ushtrimit të lirë të së drejtës për protestë.
Për politologun Afrim Krasniqi, pikëpyetjet lidhen pikërisht me mungesën e provave publike që do të justifikonin trajtimin e protestave si një çështje të sigurisë kombëtare dhe me proporcionalitetin e ndërhyrjes së Antiterrorit.
“Siguria publike është detyrim i shtetit, por protestimi është e drejtë kushtetuese, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese. Qeveria ka bërë shumë akuza dhe deklarata, por ende pa asnjë provë publike që të dëshmojnë se protestat përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare apo se janë organizuar nga ndikime të huaja. Kjo ngre pikëpyetje për proporcionalitetin e angazhimit të strukturave të Antiterrorit dhe krijon përshtypjen se masat po përdoren edhe për të legjitimuar retorikën dhe fushatën denigruese qeveritare ndaj protestuesve”, thotë Krasniqi.
Ai ngre shqetësimin se procedimet penale dhe monitorimi i aktivitetit të qytetarëve mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ata ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese. Në një kontekst ku mekanizmat e kontrollit institucional mbeten të brishtë, përdorimi i strukturave të sigurisë ndaj kundërshtimit politik, sipas tij, rrezikon të krijojë një klimë presioni dhe vetëcensure.
“Rreziku kryesor është shndërrimi i mekanizmave të sigurisë në instrumente presioni ndaj kritikëve të qeverisë. Në një demokraci të brishtë, monitorimi i gjerë i rrjeteve sociale, procedimet penale dhe ndalimet policore mund të krijojnë një efekt frikësues, duke i dekurajuar qytetarët të protestojnë apo të shprehin publikisht kundërshtimin e tyre”, shprehet Krasniqi.
Politologu thekson se përgjegjësia penale për aktet e dhunës duhet të shqyrtohet veçmas nga ushtrimi i së drejtës për të protestuar. Sipas tij, rreziku qëndron te barazimi i kundërshtimit politik me një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, duke krijuar një precedent që mund të ndikojë jo vetëm te protestuesit e përfshirë në këto procedime, por edhe te qytetarët e tjerë që zgjedhin të shprehin publikisht kundërshtimin e tyre.
“I gjithë shteti në kërkim të armiqve”
Një tjetër emër në listën e personave të proceduar nga Policia e Shtetit është Gentjan Progni. Në një komunikim për “Shteg.org”, ai tha se përfshirjen e tij në procedim penal e kishte mësuar fillimisht nga mediat. Njësoj si Arjan Koçi, edhe Progni i sheh akuzat ndaj tij si përpjekje për të ushtruar presion ndaj tij dhe ndaj personave që prej muajsh kundërshtojnë qeverinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Progni është proceduar për veprat penale të “Ndërhyrjeve të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekjes”, pasi dyshohet se ka publikuar në rrjetet sociale të dhëna personale dhe materiale që lidhen me punonjës të policisë, duke cenuar privatësinë dhe sigurinë e tyre.
Progni nuk e mohon publikimin e këtyre materialeve, por kundërshton interpretimin e policisë dhe qëllimin që i atribuohet veprimeve të tij. Ai pretendon se publikimet kishin për synim identifikimin e efektivëve që, sipas tij, kishin ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Sipas Prognit, mungesa e numrave identifikues në uniformat e policisë e bën të vështirë, në mos të pamundur, identifikimin dhe denoncimin e efektivëve nga qytetarët.
“Po ndihmoj qytetarët të identifikojnë dhunuesit siç ju takon me ligj! Çdo polic duhet të ketë një numër identifikimi dhe me atë numër qytetarët të bëjnë denoncime. Për shkak të shtetit kriminal policët nuk mbajnë numra dhe bëhet e pamundur identifikimi”, thotë Progni.
Në listën e personave ndaj të cilëve Policia e Shtetit ka ndërmarrë veprime janë edhe qytetarë të tjerë, mes tyre ish-deputeti i njohur si “Kauboj”, i cili është proceduar nga Antiterrori pas një oferte prej 5 mijë eurosh për hedhjen e një deputeti në koshin e plehrave. Në të njëjtin raportim përmendet edhe arrestimi i Elton Xhurajt, i dyshuar për kërcënimin e një biznesi përmes pretendimeve se do të ndërmerrte veprime të dhunshme.
Angazhimi i strukturave të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit për identifikimin e personave pas publikimeve në rrjetet sociale ka nxjerrë në pah edhe një kontrast tjetër: kapacitetet dhe gatishmërinë e institucioneve për të vepruar ndaj aktivitetit digjital të qytetarëve, krahas vështirësive të vazhdueshme për të mbrojtur vetë sistemet shtetërore nga sulmet kibernetike.
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me disa sulme të rëndësishme kibernetike që kanë goditur sisteme publike dhe institucione shtetërore, përfshirë edhe raportime për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë. Komprometimi i këtyre sistemeve nuk përbën vetëm një problem teknik, por krijon rreziqe për sigurinë e të dhënave personale, funksionimin e shërbimeve publike dhe mbrojtjen e informacionit sensitiv të qytetarëve dhe institucioneve.
Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi vlerëson se kontrasti ngre pikëpyetje mbi prioritetet e sigurisë shtetërore, megjithëse thekson se identifikimi i përdoruesve të rrjeteve sociale dhe parandalimi i sulmeve të sofistikuara kibernetike kërkojnë kapacitete të ndryshme.
“Kontrasti që evidenton ngre pikëpyetje për sa i përket prioriteteve të sigurisë, por identifikimi i një përdoruesi të rrjeteve sociale dhe parandalimi i një sulmi të sofistikuar kibernetik kërkojnë kapacitete të ndryshme. Megjithatë, institucionet shtetërore duhet të tregojnë të njëjtën urgjencë dhe vendosmëri për mbrojtjen e të dhënave, shërbimeve publike dhe infrastrukturës kritike që demonstrojnë gjatë protestave”, shprehet ai.
Për Dyrmishin, shqetësimi nuk qëndron vetëm te efektiviteti i institucioneve përballë sulmeve kibernetike, por edhe te mënyra se si shteti orienton dhe përdor kapacitetet e tij të sigurisë.
Sipas tij, krijimi i mekanizmave të aftë për të monitoruar dhe hetuar aktivitetin e qytetarëve, pa garantuar në të njëjtën masë mbrojtjen e tyre nga kërcënimet digjitale, krijon një çekuilibër që duhet marrë në konsideratë.
“Shqetësimi thelbësor është rreziku i zhvillimit të kapaciteteve të forta për ta monitoruar dhe proceduar qytetarin, ndërsa mbrojtja që i ofron atij mbetet e pamjaftueshme. Kërcënimet konkrete dhe nxitja e dhunës duhen hetuar, kurse kritika dhe protesta paqësore duhen mbrojtur. Siguria kombëtare duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe institucioneve demokratike dhe jo të reduktohet në mbrojtjen e pushtetit nga pakënaqësia publike”, thekson Dyrmishi.
Përtej përgjegjësisë individuale të personave të proceduar dhe ligjshmërisë së veprimeve të tyre, çështja që shtrohet është kufiri mes ushtrimit të kompetencave të institucioneve të sigurisë dhe rrezikut të përdorimit të tyre në një përballje politike.
Në një kohë kur aktiviteti i qytetarëve gjatë protestave po hetohet deri në detajet e publikimeve në rrjetet sociale, mbetet për t’u parë nëse institucionet kanë të njëjtën aftësi për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe mbrojtjen e infrastrukturës publike.
Debati, për rrjedhojë, nuk kufizohet më te ligjshmëria e një postimi apo përgjegjësia për një thirrje të caktuar. Ai prek raportin mes shtetit dhe qytetarit, kufijtë e monitorimit institucional dhe rrezikun që, në emër të mbrojtjes së rendit publik, mekanizmat e sigurisë të përdoren edhe për të kontrolluar ose dekurajuar kundërshtimin politik.
Për politologun Afrim Krasniqi, hetimi i akteve të dhunshme është një detyrim i ligjshëm i shtetit, por ky detyrim nuk mund të shërbejë si justifikim për trajtimin e kundërshtimit politik si kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Natyrisht shteti ka të drejtë të hetojë dhunën, por jo ta trajtojë kundërshtimin politik si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe krizën politike ta shndërrojë në luftë shtetërore ndaj terrorizmit. Në fund të fundit, demokracia nuk testohet nga mënyra si qeveria trajton mbështetësit e saj, por nga mënyra si respekton të drejtën e qytetarëve për ta kundërshtuar”, thekson Krasniqi.
Marrë na Shteg.org