Dokumentari investigativ “Hetimi i Perandorisë së Mashtrimit dhe Korrupsionit të Jared Kushner” nga Channel 5 me Andrew Callaghan ka trajtuar në detaje marrëveshjen kontroverse për zhvillimin e një resorti luksoz në bregdetin shqiptar, në zonën e Vlorës, ku përfshihet Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Dokumentari tregon se si u përdorën dokumente të falsifikuara për të pretenduar pronësinë e një zone bregdetare, nëpërmjet ndërmjetësimit të Artur Shehut, dhe miratimin e shpejtë të projektit prej 4.4 miliardë dollarësh nga qeveria e Edi Ramës. Fokusi përfshin gjithashtu financuesit katarianë Ramez dhe Moutaz Al Khayyat, si dhe lidhjet midis interesave të biznesit dhe atyre politike.
Përmes dosjes “AURBA”, dokumentari nxjerr në pah mënyrën se si u ndërtua kjo marrëveshje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rolit të Artur Shehut dhe çështjes së pronësisë. Më pas, ai e zgjeron fokusin e tij te protestat e “Revolucionit Flamingo” dhe lëvizja studentore, duke e lidhur pakënaqësinë qytetare me korrupsionin, krizën ekonomike dhe vështirësitë e shqiptarëve në përballimin e strehimit.
Në dokumentar marrin pjesë deputetja Marjana Koçeku, e cila thekson rëndësinë e zonës së Zvërnecit, gazetari Artan Hoxha, analisti Fatos Lubonja, si dhe protestues të përfshirë në lëvizjet antiqeveritare. Përmes dëshmive dhe intervistave të tyre, dokumentari ofron një pasqyrë të debatit mbi projektin turistik, burimet natyrore të bregdetit shqiptar dhe ndikimin që korrupsioni i dyshuar ka në jetën e qytetarëve.
Marrë nga Dosja.al