Platforma politike e lëvizjes serbe “Lista Studentore”, e cila mori frenat e vendit pas një vale të gjerë protestash qytetare kundër korrupsionit dhe qeverisjes autokratike të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç, parashikon ndërprerjen e menjëhershme të tregtisë së armëve me Izraelin, si dhe ndalimin e plotë të prodhimit të dronëve ushtarakë izraelitë në territorin serb.
Ky qëndrim i prerë u bë publik nga përfaqësuesi i Listës Studentore, Filip Uboviç, gjatë një interviste në podkastin e gazetarit dhe komentatorit politik britanik Aaron Bastani.
Duke dënuar ashpër veprimet ushtarake izraelite, Uboviç deklaroi se ajo që po ndodh atje përbën “një njollë të rëndë në ndërgjegjen e njerëzimit” dhe është “vërtet e mjerueshme”, duke nënvizuar se programi i tyre qeverisës angazhohet qartazi për t’i dhënë fund këtij bashkëpunimi ushtarak.
Sipas Ubović, lidhjet e ngushta dhe marrëveshjet sekrete të mbrojtjes me Izraelin ishin një nga shtyllat e politikës së jashtme të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç.
Ai e cilësoi si të paprecedentë dhe të papranueshme ngritjen e një fabrike për prodhimin e dronëve izraelitë në Serbi, duke këmbëngulur se ky projekt duhet të ndalet sa më parë.
Kujtojmë se në shtator të këtij viti, Vuçiç përuroi një impiant ku parashikohej montimi i dronëve të avancuar të gjigantit izraelit të armatimeve, Elbit Systems, ndërsa një vit më parë Beogradi kishte shpenzuar shuma të majme për blerjen e sistemeve raketore izraelite PULS dhe dronëve të zbulimit si Hermes 900.
Më herët, agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters kishte raportuar se përfaqësuesit e Listës Studentore po shqyrtonin gjithashtu ndalimin e shitjes së armatimeve drejt të gjitha vendeve të përfshira në konflikte të armatosura, gjë që do të prekte edhe eksportet serbe drejt Ukrainës.
Megjithatë, Reuters e tërhoqi më vonë këtë detaj nga raportimi i saj, ndërsa shumica e re në Beograd nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar mbi furnizimin me municione për Kievin.
Gjithsesi, ky lajm ekspozon në mënyrë brutale kontrastin politik me Tiranën zyrtare. Ndërsa qeveria e re serbe po rishikon me sy kritik lidhjet e trashëguara nga regjimi i Vučić-it, kryeministri shqiptar Edi Rama duket se nuk ka ndërmend të lëvizë asnjë milimetër nga pozicionet e tij servile dhe të verbëra ndaj Izraelit.
Paralelizmi mes politikave të ish-regjimit të Vuçiç-it dhe qeverisë aktuale të Ramës është tronditës. Të dyja qeveritë e shndërruan Ballkanin në një treg dhe bazë prodhimi për industrinë ushtarake izraelite.
Ashtu si Beogradi që hapi dyer për montimin e dronëve të Elbit Systems, edhe Tirana nënshkroi marrëveshje të majme me po të njëjtën kompani për obusë ATMOS, mortaja SPEAR, dronë taktikë dhe projekte për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë, duke e thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e sigurisë kibernetike dhe energjisë.
Por ndërsa Beogradi po bën një kthesë morale dhe po i vë fre këtij bashkëpunimi, Rama vazhdon të sillet si një aleat i pakushtëzuar, duke dekoruar dhe pritur me pompozitet liderët izraelitë e duke shpërfillur plotësisht realitetin e krimeve në Gaza.
Ngulmimi i tij për të mos lëvizur nga këto pozicione, as kur vetë Beogradi po reflekton, tregon se politika e jashtme dhe e mbrojtjes në Tiranë nuk udhëhiqet as nga interesi kombëtar dhe as nga parimet, por nga kalkulime të errëta klienteliste dhe kontrata jotransparente.
Fakti që një lëvizje studentore në Serbi po tregon më shumë dinjitet moral dhe guxim politik sesa qeveria e Tiranës, është një kambanë alarmi për degradimin e plotë të standardeve etike në politikën shqiptare.
Marrë nga Tesheshi.com