KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Çelësi i Tiranës dhe kënga e Brukselit
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Opinion > Çelësi i Tiranës dhe kënga e Brukselit
FokusKryesoreOpinionPolitikeRajoniSociale

Çelësi i Tiranës dhe kënga e Brukselit

Përditësimi i fundit: 17 Nëntor, 2026 11:06 am
89 Shikime
Share
17 Min. Leximi
SHARE

Nga Helion Terlaci

 

Ka diçka thellësisht të drejtë në indinjatën e Edi Ramës ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe në Bruksel. Por edhe diçka që meriton të shqyrtohet: përse ndjeshmëria ndaj Kosovës, kaq e qartë sot përballë evropianëve, nuk ka qenë gjithmonë po aq e dukshme në vendimet e tij politike?

Më 15 nëntor, gjatë koncertit Melodies of Unity, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një ansambël slloven interpretoi instrumentalisht melodinë e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Komisionerja Marta Kos shprehu keqardhje, ndërsa Rama protestoi publikisht. Mirëpo indinjata është prova më e lehtë e një parimi: kërkon fjalë, jo vendime. Prova e vërtetë vjen kur parimi duhet mbrojtur përballë interesave, miqësive dhe zgjedhjeve politike. Protesta e Brukselit, pra, nuk e mbyll diskutimin mbi ndjeshmërinë e Ramës ndaj Kosovës. Përkundrazi, e hap atë.

*I. Çelësi i Tiranës*. Në prill 2006, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama i dorëzoi Goran Bregoviçit Çelësin e Kryeqytetit. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kur pjesëmarrja e muzikantit në Festën e Birrës në Korçë shkaktoi kundërshtime, kryeministri e mbrojti, duke e cilësuar zemërimin një «zjarr kinse patriotik». Në gusht 2023, Moldavia ia ndaloi Bregoviçit hyrjen në territorin e saj, në kontekstin e qëndrimeve të tij proruse dhe mbështetjes për aneksimin e Krimesë.

Nuk është fjala për ta ngatërruar Bregoviçin me autorët e këngës së Brukselit, por për peshën e vendimeve institucionale. Një qytet që i dorëzon dikujt çelësin nuk po i garanton thjesht të drejtën për të kënduar; po i shpreh mirënjohje publike në emër të qytetarëve të tij. Kontrasti është domethënës: një shtet evropian ia mbylli derën muzikantit, ndërsa Tirana i kishte dorëzuar çelësin. Kundërshtimet në Korçë meritonin të trajtoheshin si ndjeshmëri historike, jo të zhvlerësoheshin si patriotizëm i shtirur.

*II. Përzemërsia me Vuçiqin.* Bregoviçi mbetet një episod i vogël përballë marrëdhënies së gjatë të Ramës me Aleksandar Vuçiqin. Për vite me radhë, kryeministri shqiptar kultivoi me presidentin serb një përzemërsi demonstrative, me përqafime, darka e deklarata miqësie, të paraqitura si dëshmi e një Ballkani të çliruar nga armiqësitë e së kaluarës.

Por kjo skenografi optimiste kishte një mangësi themelore: Serbia vazhdonte të mos e njihte Kosovën. Pajtimi shpallej në fotografi, ndërsa mohimi i sovranitetit mbetej realitet politik që nuk kamuflohej dot me përzemërsi personale.

*III. Reçaku: mohimi dhe përqafimi.* Në dhjetor 2019, Vuçiqi e quajti masakrën e Reçakut një trillim, duke mohuar vrasjen e 45 civilëve shqiptarë. Vetëm dy javë më vonë, Rama e priti presidentin serb në Shqipëri, në kuadër të takimeve rajonale.

Vizita përfshiu edhe zonat e goditura nga tërmeti i nëntorit. Ish-ministri i Informacionit i regjimit të Millosheviçit shfaqej mes shqiptarëve që kishin humbur shtëpitë, i rehabilituar totalisht e i mirëpritur ngrohtësisht nga kryeministri i Shqipërisë.

Një kontrast që vështirë se shpjegohet vetëm me mirësjelljen diplomatike.

*IV. Përplasjet me Prishtinën.* Asimetria bëhet veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet e Ramës me udhëheqësit e Kosovës.

Në janar 2020, Rama paditi për shpifje Ramush Haradinajn pas akuzave lidhur me ndarjen e Kosovës, ndonëse më vonë njoftoi tërheqjen e padisë. Me Albin Kurtin u përplas vazhdimisht për Ballkanin e Hapur, dialogun dhe zhvillimet në veri; mospajtimet publike nuk munguan as me Vjosa Osmanin.

Rama i ofronte në vazhdimësi mirëkuptim publik Serbisë edhe për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa Kosovës i atribuohej përgjegjësi për tensionet në veri që çuan në vendosjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, me të cilat Rama shprehte pajtimin e tij. Presidenti serb trajtohej si partner me të cilin duhej ruajtur përzemërsia, ndërsa udhëheqësit e Kosovës paraqiteshin si pengesë për normalizimin dhe paqen në rajon. Barra e kompromisit rëndonte mbi atë që kërkonte njohjen e sovranitetit të vet, jo mbi atë që vazhdonte ta mohonte.

*V. Krusha e Madhe dhe politika e kujtesës.* Në mars 1999, në Krushë të Madhe u vranë 243 shqiptarë. Në nëntor 2020, Milaim Bellanica, i mbijetuar i masakrës që kishte filmuar pasojat e saj, u gjend në qendër të një përplasjeje politike e mediatike në Shqipëri.

Ai deklaroi se kasetën origjinale ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës, kur ky punonte në UNMIK. Basha e mohoi pretendimin, ndërsa Rama dhe përfaqësues të shumicës socialiste kërkuan shpjegime, duke e kthyer dëshminë në çështje të politikës së brendshme.

Për disa ditë, Krusha e Madhe pushtoi debatin publik, por vëmendja u përqendrua te fati i kasetës, akuzat ndaj Bashës dhe përfitimi politik i Ramës. Debati u shoqërua edhe me batuta, ironi, tallje e të qeshura në shkëmbimet mes kundërshtarëve politikë, ndërkohë që në qendër të tij duhej të ishte një prej tragjedive më të rënda të luftës së Kosovës.

Një masakër me 243 të vrarë, të cilën Rama e ktheu në material për përplasje partiake, ku rëndësi dukej se kishte kush e fitonte replikën, jo kujt i përkiste dhimbja.

A morën 243 të vrarët të njëjtën vëmendje që mori dëshmia e tyre kur u bë politikisht e dobishme?

As një buqetë me lule nuk hodhi Tirana zyrtare në kujtim të të vrarëve. Por edhe lulet nuk e zëvendësojnë drejtësinë. Ekziston një dallim i thellë moral ndërmjet kujdesit të vazhdueshëm për viktimat dhe interesimit të beftë për historinë e tyre, vetëm kur ajo mund të përdoret kundër një kundërshtari politik. Aq më tepër kur një kryeministër pretendon të flasë me autoritet moral për plagët historike të shqiptarëve, ndërsa përqafon përzemërsisht një ish-ministër të regjimit përgjegjës për ato krime.

*VI. Ballkani i Hapur, Kosova e panjohur.* Ballkani i Hapur u bë shprehja më e dukshme e afrimit Rama–Vuçiq. Nisma premtonte lehtësimin e tregtisë dhe lëvizjes, por Kosovës i kërkohej të integrohej me një shtet që ia mohonte ekzistencën si subjekt sovran. Ndërkohë, Procesi i Berlinit ofronte tashmë një kornizë bashkëpunimi rajonal me mbështetjen evropiane. Problemi nuk ishte mungesa e tryezave, por mungesa e barazisë rreth tyre.

Pajtimi franko-gjerman, themel i projektit evropian, nuk u ndërtua duke mohuar ekzistencën shtetërore të partnerit. Ballkani i Hapur rrezikonte ta kthente mosnjohjen e Kosovës në një rrethanë të zakonshme të bashkëpunimit rajonal.

Një normalitet ekonomik i ngritur mbi një anomali politike mund ta lehtësojë tregtinë, por edhe ta bëjë më të rehatshëm vazhdimin e padrejtësisë.

*VII. Hijet e miqve në Beograd.* Milan Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi, të lidhur me qarqe të pushtetit serb, ishin sanksionuar nga Thesari amerikan në dhjetor 2021 për krim të organizuar dhe korrupsion.

Hetimet e KRIK-ut mbi grupin kriminal të Veljko Belivukut, të lidhur me vrasje dhe trafik droge, kishin nxjerrë pretendime për lidhje me familjen Vuçiq, policinë dhe qarqe të tjera të pushtetit. Belivuku deklaronte se i kishte kryer shërbime drejtpërdrejt Vuçiqit. Grupi akuzohej për trafiqe, tortura, vrasje dhe copëtim trupash. Në debatin publik serb qarkulluan edhe pretendime makabre për përgatitjen e qofteve me mish njerëzor, të cilat mbetën të kontestuara.

Ky ishte konteksti i Beogradit me të cilin Rama kultivonte një miqësi të veçantë. Por marrëdhënia me Vuçiqin nuk mund të kuptohet pa historinë politike prej së cilës ai vjen.

*VIII. Batajnica:* të vdekurit pa varre. Në Batajnicë, pranë Beogradit, u zbuluan qindra trupa shqiptarësh të vrarë gjatë luftës së Kosovës. Në katër vendndodhje në Serbi janë dokumentuar gjithsej 941 viktima, mes tyre gra dhe fëmijë, trupat e të cilëve ishin transportuar nga Kosova dhe varrosur fshehurazi për të zhdukur gjurmët e krimeve.

Operacioni ishte pjesë e aparatit shtetëror të Millosheviçit, në qeverinë e të cilit Vuçiqi shërbente si ministër i Informacionit. Nuk ka prova të përfshirjes së tij personale në fshehjen e trupave, por pozita që mbante ngre pyetje mbi informacionin që mund të ketë pasur për operacionet e fshehjes së krimeve.

Për familjet e viktimave, fundi i luftës nuk solli fundin e pritjes. Vite pa ditur ku ndodheshin të afërmit, pa një varr ku të shkonin, pa mundësinë për t’i vajtuar. Fshehja e trupave synonte të zhdukte provat e krimeve, por zgjaste edhe vuajtjen e të gjallëve.

Atyre u ishte marrë jo vetëm njeriu i dashur, por edhe mundësia për ta vajtuar.

Këtu fillon dallimi ndërmjet normalizimit diplomatik dhe pajtimit. Marrëveshjet mund të nënshkruhen, kufijtë të hapen dhe udhëheqësit të përqafohen, por pajtimi kërkon njohjen e së vërtetës historike dhe të përgjegjësisë. Nuk mund të shpallet nga politikanët në emër të atyre që kanë humbur njerëzit e tyre.

*IX. Gjenocidi që mbeti jashtë rezolutës.* Në korrik 2022, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë mbi gjenocidin në Srebrenicë. Por përpjekjet për të përfshirë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nuk morën mbështetjen e shumicës.

Nismat për një rezolutë të posaçme mbi krimet serbe në Kosovë mbetën pa përfundim. Në tetor 2025, Kuvendi rrëzoi sërish kërkesën e opozitës për trajtimin e një rezolute që do të njihte gjenocidin në Kosovë.

Kontrasti është domethënës: shumica socialiste gjeti gjuhën institucionale për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë, por nuk miratoi një rezolutë të ngjashme për Kosovën. Nuk mungonin dëshmitë mbi krimet e luftës, por vullneti politik i një shumice parlamentare që, në të tilla çështje, nuk dëshmon pavarësi nga diktati politik i Ramës.

*X. Një asociacion serb për Kosovën, pa Kosovën.* Në qershor 2023, Rama njoftoi se u kishte dërguar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa u konsultuar paraprakisht me qeverinë e Kosovës.

Asociacioni buronte nga marrëveshjet e dialogut të vitit 2013, por propozimi i një zgjidhjeje për organizimin e brendshëm të Kosovës, duke anashkaluar institucionet e saj, ngrinte një problem themelor sovraniteti. Rama deklaroi se nuk kishte detyrim të konsultohej me Prishtinën.

Ishte një diplomaci që pretendonte të ndërmjetësonte për Kosovën, por nuk arrinte të komunikonte me të. Në Ballkan, paternalizmi vishet shpesh me gjuhën e vëllazërisë: fillon kur njëri merr përsipër të dijë më mirë se tjetri çfarë i duhet dhe përfundon kur ndihma e pakërkuar shndërrohet në presion.

Sovranitet është edhe e drejta për të mos pasur dikë që vendos në emrin tënd.

*XI. Oso Kuka në Podgoricë.* Në korrik 2023, gjatë një konference për shtyp në Podgoricë me kryeministrin malazez Dritan Abazoviç, Rama ironizoi qëndrimin e autoriteteve të Kosovës në veri përmes figurës së Oso Kukës. Ai pyeti gazetarët malazezë nëse njihnin ndonjë «Oso Kukoviç» që ishte ngujuar në kullë, kishte luftuar kundër perandorive dhe kishte vdekur heroikisht.

Por Oso Kuka ishte vetëflijuar pikërisht në përballje me forcat malazeze në Vraninë, më 1861. Batuta, përtej mungesës së ndjeshmërisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, zbulonte një mosnjohje të historisë së përballjeve shqiptare me fqinjët sllavë. Historia që Rama kishte thirrur për të ironizuar të tjerët, përfundoi duke ironizuar vetë atë.

*XII. Banjska dhe toka e askujt.* Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb vrau në Banjskë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radoiçiqi, atëherë nënkryetar i Listës Serbe, forcës politike të mbështetur nga Beogradi.

Rama e dënoi zbehtë sulmin, por më pas përsëriti propozimin që KFOR-i të merrte kontrollin e sigurisë në veri, të cilin, sipas tij, e kishte paraqitur më herët në samitin e NATO-s. Të njëjtën kërkesë e kishte artikuluar edhe Vuçiqi. Megjithëse motivet e deklaruara ndryshonin, përputhja ngrinte pyetje mbi autoritetin e Policisë së Kosovës, përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

Pas një sulmi të armatosur ndaj institucioneve të Kosovës, propozimi për zëvendësimin e autoritetit të tyre rrezikonte ta trajtonte veriun si hapësirë me sovranitet të pezulluar. Por veriu i Kosovës nuk ishte tokë e askujt.

*XIII. Kryeministri më i mirë i Serbisë.* Më 30 shtator 2023, gazetari gjerman Michael Martens, njohës i Ballkanit dhe gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, shkroi me ironi se «Edi Rama është ndoshta kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikola Pashiqi».

Krahasimi me Pashiqin, figurë qendrore e politikës serbe në fillim të shekullit XX, ishte kritikë therëse ndaj kryeministrit shqiptar, në ditët kur Kosova përballej me pasojat e sulmit të Banjskës.

*XIV. Presheva: shqiptarët përtej fotografive* . Ndërsa Tirana dhe Beogradi kremtonin afrimin, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përballeshin me pasivizimin e adresave, praktikë që u cenonte dokumentet, vendbanimin dhe të drejtat qytetare. Organizata të të drejtave të njeriut e kanë denoncuar si diskriminim sistematik, madje si spastrim etnik përmes mjeteve administrative.

Përzemërsia e udhëheqësve nuk e ndryshonte realitetin e shqiptarëve jashtë fotografive të tyre. Normalizimi ndërmjet qeverive nuk ishte normalizim i jetës së qytetarëve të kombësisë shqiptare.

*XV. Partneriteti i paradokseve* . Më 28 shkurt 2026, Rama dhe Vuçiqi nënshkruan një editorial të përbashkët në Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke propozuar integrim më të shpejtë ekonomik me Evropën. Dy udhëheqës gjenin mirëkuptim për arkitekturën e ardhshme të kontinentit, ndërsa Beogradi ende nuk pranonte Kosovën.

Kjo nuk ishte hollësi diplomatike, por kundërthënia mbi të cilën ishte ndërtuar afrimi i tyre.

Në këtë sfond, protesta e Ramës ndaj një kënge nacionaliste mund t’i shërbejë edhe rikuperimit të autoritetit moral. Nuk kemi nevojë t’ia njohim mendimet për të dalluar dobinë politike të reagimit. Indinjata fiton duartrokitje brenda minutash; ndryshimi i një politike kërkon vendime dhe kosto.

Historia e marrëdhënieve me Beogradin nuk mund të rishkruhet nga një episod në Bruksel.

Në fund, indinjata e Ramës në Bruksel nuk mund të shkëputet nga historia e vendimeve të tij. Dialogu që anashkalon sovranitetin e Kosovës dhe ngatërron përzemërsinë personale me pajtimin historik nuk mund të paraqitet si kapërcim i së kaluarës.

Kënga e Brukselit nuk ishte zgjedhja e Ramës. Çelësi i Tiranës ishte. Të tijat ishin edhe miqësia e kultivuar me Vuçiqin, nismat e përbashkëta dhe draftstatuti i dërguar kancelarive evropiane pa konsultimin e Prishtinës. Këto vendime, jo zemërimi ndaj një melodie të zgjedhur nga të tjerët, janë prova e vërtetë e parimeve të tij.

*Indinjata i përket çastit, përgjegjësia u përket vendimeve. Dhe ishin vendimet e tij që e çuan Ramën drejt krahasimit me Nikola Pashiçin. Qartësisht, jo për shërbimet ndaj shqiptarëve*.

 

Marrë nga VNA.al

 

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Po kërkonte rrugë të re për kokainën, dështon plani i mafies shqiptare në Spanjë

Valë demonstratash në të gjithë Evropën, kundër kostos së jetesës

Diplomati italian: Plan për koloni izraelite në Itali, Shqipëri dhe Qipro

Mrekullia fiskale e Gonxhes: Taksa nuk dihet sa do të jetë, por shqiptarët do të dalin me fitim

ARRSH-ja hap 180 milionë euro tendera, në një ditë të vetme

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm 72 orë pa drita dhe internet nga 17 nëntori? E vërteta e panikut, në rrjet
Artikulli tjetër Rama e fshin Spiropalin nga forumet, por harron nenin 37 të statutit

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Rafineria e Fierit fitoi 5.7 milionë euro në një vit, por kurseu filtrat duke helmuar qytetin
Analize Finance Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 20 Nëntor, 2026
RAI: Mbi 60 mijë italianë çdo vit në Shqipëri për “turizëm dentar”
Analize Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 20 Nëntor, 2026
Udhëkryqi i Reformës së re të Pensioneve
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale 20 Nëntor, 2026
Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të familjarëve të Artur Shehut
Aktuale Analize Fokus Kryesore Sociale 20 Nëntor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.