Pas “Diellës”, një tjetër asistent virtual pritet t’i bashkohet administratës shqiptare, këtë herë për të ndihmuar në kontrollin e tenderave publikë: “Gjoni”.
Ai është pjesë e modelit të ri të prokurimeve që kryeministri Edi Rama prezantoi më 17 nëntor, nën premtimin për më shumë transparencë, konkurrencë dhe kontroll mbi mënyrën se si shpenzohen fondet publike.
“Kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, është dhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, … do të fillojë të krijohet dhe bindja që po, ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë”, deklaroi Rama.
Ndërsa qeveria nxjerr sërish nga mënga inteligjencën artificiale si zgjidhje për problematikat e prokurimeve publike, vetëm dy javë më parë Komisioni Evropian evidentoi në Progres-Raportin 2026 se sistemi vijon të përballet me konkurrencë të kufizuar, një numër të lartë procedurash të anuluara dhe mangësi në parandalimin e korrupsionit.
Gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimit të Përqendruar, Rama tha se inteligjenca artificiale do të përfshihet në hartimin e dokumentacionit, përcaktimin e fondeve limit, analizimin e rreziqeve dhe vlerësimin e ofertave.
Sipas kryeministrit, kjo do t’u mundësojë bizneseve të marrin pjesë në tendera pa qenë të detyruara të sigurojnë dokumentacion nga institucione të ndryshme, ndërsa vendimmarrja përfundimtare do të mbetet në duart e njerëzve.
Pavarësisht rezervave të Brukselit për këtë sektor, Rama deklaroi se Shqipëria është vendi më i vlerësuar në rajon nga SIGMA për prokurimet publike, duke vënë në pah një krahasim me 14 vite më parë, se procedurat me negocim pa shpallje paraprake kanë rënë nga 31% në 2012, në 2,4% gjatë vitit 2025.
Megjithatë, treguesit e tjerë të sektorit paraqesin një tablo jo aq optimiste.
Në kapitullin 5, që trajton prokurimet publike, Komisioni Evropian e vlerëson Shqipërinë mes nivelit mesatar dhe të mirë të përgatitjes, duke konstatuar njëfarë përparimi gjatë periudhës së raportimit, që lidhet kryesisht me miratimin e ligjit të ri për koncesionet dhe partneritetet publike-private, ndërsa rekomandimet e vitit të kaluar konsiderohen vetëm pjesërisht të zbatuara.
“Kuadri ligjor për prokurimet publike është kryesisht i përafruar me legjislacionin e BE-së. Disa mangësi të rëndësishme mbeten ende për t’u adresuar”, thuhet në raport.
Megjithatë, rezultatet e mira kufizohen në përafrimin ligjor, duke mos u shoqëruar me të njëjtin përmirësim në funksionimin e sistemit, ku Komisioni Evropian vijon të evidentojë probleme me konkurrencën, transparencën dhe integritetin e procedurave.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2025, gati një në katër tendera publikë në Shqipëri iu dha një operatori ekonomik që konkurronte i vetëm, ndërsa përqindja rritet prej 23,5% në 29% për procedurat me vlerë të lartë.Raporti evidenton gjithashtu se 38% e procedurave të prokurimit u anuluan, një tregues që vijon të mbetet i lartë.
Për Brukselin, këto problematika kërkojnë forcimin e konkurrencës dhe të kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse.
“Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar procedurat konkurruese të prokurimit dhe për të garantuar integritetin e funksionit të prokurimit”, rekomandon Komisioni Evropian.
Por kjo nuk është hera e parë që transformimi i prokurimeve publike premtohet nga Rama nëpërmjet inteligjencës artificiale.
Në maj të këtij viti, gjatë një konference kushtuar kapitullit 5 të negociatave me Bashkimin Evropian, kryeministri e shpalli Shqipërinë vendin e parë në rajon për prokurimet publike, ndërsa paralajmëroi përfshirjen e “Diellës” në një sistem të ri elektronik tenderimi.
Edhe asokohe, deklaratat optimiste të qeverisë binin ndesh me problematikat e dokumentuara nga institucionet. Sipas të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025, nga 94 tendera të zhvilluar nga AKSHI, 43 ishin ankimuar, ndërsa në mbi 60% të rasteve të shqyrtuara ishin konstatuar shkelje dhe ishin pranuar plotësisht ose pjesërisht ankesat e operatorëve ekonomikë.
Në total, gjatë vitit 2025, në Komisionin e Prokurimit Publik u regjistruan mbi 1,100 ankesa, ndërsa rreth gjysma e tyre u konsideruan të bazuara, duke përfshirë procedura me një vlerë të konsiderueshme financiare, prej 343 milionë eurosh.
Edhe raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 evidentoi problematikat e prokurimeve publike, me hetime për manipulime të tenderave në faza të ndryshme të procedurave, nga përgatitja e dokumentacionit deri te shpallja e fituesit.
Në një sektor ku tenderat publikë janë bërë objekt hetimesh ndaj kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të tjerë, si dhe janë shoqëruar me raste të rënda konfliktesh mes biznesmenëve, deklaratat e përsëritura të kryeministrit për përparimin e Shqipërisë në prokurimet publike përballen me një realitet më problematik.
Kësisoj, ndërsa qeveria prezanton një tjetër asistent virtual për kontrollin e tenderave, mbetet për t’u parë nëse përdorimi i inteligjencës artificiale do të arrijë të adresojë problematikat që Komisioni Evropian dhe institucionet vendase vijojnë të evidentojnë në funksionimin e sistemit të prokurimeve publike.
Marrë nga Shteg.org