Dhjetëra aktivistë të rrjetit ndërkombëtar Clean Clothes Campaign u mblodhën të martën, më 17 nëntor, para dyqanit Sinsay në një qendër tregtare në Durrës. Me pankarta në duar, ata kërkuan që marka të mbështesë rikthimin e kompanisë së saj mëmë, grupit polak LPP, në Marrëveshjen e Pakistanit (Pakistan Accord), një angazhim ndërkombëtar që synon të garantojë sigurinë e punëtorëve në fabrikat e tekstilit në këtë vend.
Pas tubimit para qendrës tregtare, aktivistët hynë në dyqan dhe i dorëzuan menaxherit një letër, përmes së cilës kërkuan që mesazhi i tyre t’u përcillet drejtuesve të kompanisë në Poloni. Menaxheri nuk pranoi të komentonte. Sinsay është një nga markat që zotërohen nga grupi LPP, së bashku me Reserved, Cropp, House dhe Mohito.
Aksioni në Durrës është pjesë e një fushate më të gjerë të Clean Clothes Campaign, ku aktivistë nga Ballkani dhe vende të tjera evropiane po u drejtohen dyqaneve të grupit për të kundërshtuar vendimin e LPP-së për të pezulluar anëtarësimin në Marrëveshjen e Pakistanit në fund të vitit 2025.
Sipas aktivistëve, grupi LPP ka më shumë se 90 furnitorë në Pakistan. Inspektimet e kryera nga inxhinierë të pavarur në fabrikat e furnitorëve kanë evidentuar qindra problematika të sigurisë, të cilat kërkojnë ndërhyrje për të mbrojtur punëtorët.
Esmeralda Hoxha, nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, anëtare e rrjetit Clean Clothes Campaign, shpjegon se letra u drejtohet dyqaneve Sinsay në vende të ndryshme, me qëllim që ato të ushtrojnë presion te kompania mëmë për t’u rikthyer në marrëveshje.
“Letra që unë kam këtu është një letër informuese, e cila u kërkon të gjitha dyqaneve të Sinsay që të bëjnë presion te kompania mëmë në Poloni, LPP, në mënyrë që të nënshkruajë edhe njëherë marrëveshjen e Pakistanit”, tha Hoxha.
Një prej problematikave të përmendura në letër lidhet me një fabrikë furnitore të LPP-së, ku, sipas aktivistëve, janë konstatuar dyer që mund të kyçen me çelës. Në rast zjarri apo emergjence, kjo mund t’i pengojë punëtorët të dalin nga ndërtesa. Për këtë arsye, ata kërkojnë që kompania të marrë përgjegjësi për eliminimin e rreziqeve dhe të mbështesë financiarisht furnitorët për kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme.
Pikërisht për të parandaluar raste të tilla është krijuar Marrëveshja e Pakistanit. E nënshkruar në vitin 2023 mes markave ndërkombëtare të veshjeve dhe sindikatave, ajo është ligjërisht e detyrueshme dhe parashikon inspektime të pavarura në fabrikat e tekstilit, identifikimin e rreziqeve strukturore, elektrike dhe të zjarrit, si dhe marrjen e masave për eliminimin e tyre. Marrëveshja përfshin gjithashtu trajnimin e punëtorëve dhe mekanizma për raportimin e problematikave të sigurisë.
Marrëveshja u rinovua në janar 2026. Sipas Clean Clothes Campaign, më shumë se 100 marka ndërkombëtare rinovuan angazhimin e tyre, ndërsa LPP ishte ndër kompanitë që nuk e bënë këtë.
Emma Vogt, përfaqësuese e Clean Clothes Campaign, thotë se vendimi i LPP-së i lë punëtorët në Pakistan të ekspozuar ndaj rreziqeve që mund t’u kushtojnë jetën.
“Punonjësit në Pakistan vazhdojnë të përballen çdo ditë me rreziqe, si ngecja në një fabrikë pa mundur të largohen në kohë në rast zjarri apo rreziku i shembjes së një ndërtese. Këto janë probleme vërtet kërcënuese për jetën që duhen zgjidhur”, tha Vogt.
Për aktivistët, nevoja për kontrolle të pavarura dhe masa konkrete sigurie lidhet edhe me tragjedinë e Rana Plaza në Bangladesh. Në vitin 2013, shembja e një ndërtese ku ndodheshin disa fabrika tekstili shkaktoi vdekjen e 1 134 personave dhe plagosjen e mijëra të tjerëve. Hoxha thotë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si paralajmërim për të mos lejuar përsëritjen e tragjedive të tilla.
“Kur këmbëngulet me kaq shumë forcë për nënshkrimin e marrëveshjes së Pakistanit, është pikërisht për të marrë si shembull atë që ndodhi në atë periudhë, në mënyrë që të mos përsëritet”, tha Hoxha.
Aksioni në Durrës riktheu vëmendjen te kushtet e punës në industrinë e tekstileve dhe këpucëve në Shqipëri. Në një investigim të publikuar në dhjetor 2024, Citizens.al intervistoi 81 gra që punojnë në fasoneri, të cilat raportuan paga të ulëta, mungesë kontratash, orë shtesë të papaguara dhe kushte të papërshtatshme pune.
Në letrën e tyre, aktivistët i kërkojnë Sinsay dhe grupit LPP të rikthehen në Marrëveshjen e Pakistanit dhe të marrin përsipër përgjegjësinë për sigurinë e punëtorëve në fabrikat ku prodhohen veshjet e tyre.
Citizens.al iu drejtua grupit LPP për koment lidhur me arsyet e pezullimit të anëtarësimit në Marrëveshjen e Pakistanit, problematikat e sigurisë të evidentuara në fabrikat furnitore dhe planet e kompanisë për t’iu rikthyer marrëveshjes.
“Pezullimi i anëtarësimit tonë në Marrëveshjen e Pakistanit nuk do të thotë që po i japim fund angazhimit tonë për përmirësimin e kushteve të punës në fabrikat pakistaneze”, u shpreh zyra e shtypit e LPP-së në përgjigjen dërguar Citizens.al.
Sipas kompanisë, aktualisht vëmendja është përqendruar kryesisht te standardet sociale dhe te verifikimi më efektiv i kushteve në fabrikat që prodhojnë për LPP-në. Kompania thotë se përdor mjete të njohura ndërkombëtarisht, përfshirë zgjidhje të bazuara në programin SLCP (Social & Labor Convergence Program), të cilat ndihmojnë në standardizimin e vlerësimit të kushteve të punës dhe në identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim. Ky proces, sipas LPP-së, plotësohet me bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fabrikat, trajnime dhe monitorim të vazhdueshëm të zbatimit të kërkesave të kompanisë. LPP shton se procesi SLCP / Higg Facility Social & Labor Module u është komunikuar si i detyrueshëm fabrikave pakistaneze me të cilat bashkëpunon.
“Pakistani kërkon zgjidhje që marrin parasysh rrethanat lokale”, thuhet në përgjigje. Kompania thotë se vazhdon të vlerësojë efektivitetin e mekanizmave të ndryshëm, mbetet e hapur ndaj modeleve të ndryshme të bashkëpunimit dhe nuk e përjashton rikthimin në Marrëveshjen e Pakistanit në të ardhmen.
Përgjigja e LPP-së nuk trajtoi problematikat konkrete të sigurisë të evidentuara në fabrikat furnitore.
Marrë nga Citizens.al