Rritja e netë-qëndrimeve të të huajve dhe vendasve përgjatë muajit korrik të këtij viti është ngadalësuar ndjeshëm në korrik.
Të dhënat e INSTAT për strukturat akomoduese bënë të ditur se rritja e net-qëndrimeve të turistëve vendas në korrik ishte vetëm 6.2%, nga 61% që kishte qenë korrikun e një viti më parë.
Më ngadalë u rritën dhe net qëndrimet e të huajve, m 21.3%, nga 42.3% të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në korrik hotelet, sidomos në jug, rritën ndjeshëm çmimet deri në 90%, çka bëri që shumë shqiptarë të zgjedhin të pushojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi apo Turqi. Po ashtu edhe shumë turistë të huaj, sidomos italianë anuluan prenotimet.
Efektet u dukën dhe në shifrat e hyrjeve të turistëve të huaj, që u rritën me vetëm 2% në korrik, ndërsa muajt e mëparshme zgjerimi kishte qenë dyshifror.
Sipas njoftimit të INSTAT numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 35,9%, në krahasim me Korrik 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
- numri i vizitorëve rezident është rritur me 8,9%;
- numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 53,1%.
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 16,1%, në krahasim me Korrik 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
- numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 6,2%;
- numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 21,3%.
Vizitorë
Gjatë muajit Korrik 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 35,9%, krahasuar me Korrik 2023.
Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 74,1%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 57,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i vizitorëve jo-rezident në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 57,1%.
Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:
- sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (38,3%);
- sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (73,1%);
- sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (93,0%).
Netë qëndrime
Gjatë muajit Korrik 2024, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 16,1%, në krahasim me muajin Korrik 2023.
Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 24,4%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 21,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 22,5%.
Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:
- sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (39,3%);
- sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (81,9%);
- sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,4%).
Norma neto e shfrytëzimit
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 49,3%, kundrejt 44,8% që ishte në muajin Korrik 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 55,4%, kundrejt 49,5% që ishte në muajin Korrik 2023.
Marrë nga Monitor