Pagesat buxhetore nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave ndaj Kompanisë Integrated Energy BV SPV e kontraktua nga qeveria për të ndërtuar një incenerator për djegien e mbetjeve në landfillin e Sharrës po vijojnë. Nga fillimi i janarit deri më datën 13 shtator, sipas të dhënave të Open Data Albania (transaksionet e thesarit) buxheti 2024 pagoi ndaj Integrated një shumë prej 1,041,300,047 lekësh (10 milionë euro).
Të dhënat tregojnë se pagesat ndaj inceneratorit po intensifikohen. Deri në 24 korrik ishin paguar 7 milionë euro, ndërsa në vetëm 40 ditë janë paguar edhe 3 milionë euro të tjera duke e çuar financimin e buxhetit të shtetit në total për këtë objekt mbi 7,2 miliardë lekë (72 milionë euro). Siç tregojnë faturat e detajuara të thesarit pagesat bëhen ndaj Integrated, e cila është në administrim të shtetit, për shkak të akuzave që ngriti SPAK për një aferë të madhe korruptive.
Ndaj administratorit shtet paguhen fatura për ndërtimin e inceneratorit, punimet e të cilit nuk kanë filluar. Megjithëse ekzistojnë ligje, udhëzime, rregulla dhe struktura ligjore që pengojnë çeljen e fondeve nëse nuk ka fatura punimesh sërish pagesat vazhdojnë, duke prodhuar një dëm material dhe moral ndaj taksapaguesve shqiptare. P.sh. siç tregohet nga tabela e mëposhtme me datën 28 gusht, Bashkia e Tiranës ka paguar 145 milionë lekë ose 145 mln euro në një ditë ndaj Integrated.
Sakaq transporti i plehrave nga Kavaja dhe Durrësi drejt Tiranës i ka vënë bashkitë bregdetare ne vështirësi, pasi po çojnë për shërbimet e pastrimit pjesën më të madhe te të ardhurave të veta teksa në horizont nuk ka asnjë zgjidhje të re për çështjen e menaxhimit të mbetjeve në zonën me të populluar të vendit. Aktualisht inceneratori i Tiranës administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila ende nuk ka dorëzuar bilancin e shoqërisë për vitin 2023 në QKB edhe pse kanë kaluar afatet.
Marrë nga Monitor