Numri i të vdekurve nga një situatë e tensionuar gati njëmujore ndërmjet policisë dhe minatorëve të bllokuar që punonin ilegalisht në një minierë ari të braktisur në Afrikën e Jugut, është rritur në të paktën 87, sipas policisë.
Autoritetet u përballën me zemërimin në rritje dhe një hetim të mundshëm për refuzimin e tyre fillestar për t’i ndihmuar minatorët. Në vend të kësaj autoritetet vendosën që t’i detyronin të dilnin duke u ndërprerë furnizimin me ushqime.
Zëdhënësja e policisë kombëtare, Athlenda Mathe tha se 78 trupa u nxorën në një operacion shpëtimi të urdhëruar nga gjykata, me 246 të mbijetuar të nxjerrë nga nëntoka që nga fillimi i operacionit të hënën. Zonja Mathe tha se nëntë trupa të tjerë ishin nxjerrë përpara operacionit të shpëtimit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Minatorët dyshohet se kanë vdekur nga uria dhe dehidratimi, megjithëse ende nuk janë konfirmuar shkaqet e vdekjes.
Autoritetet e Afrikës së Jugut janë kritikuar ashpër për ndërprerjen e ushqimit dhe furnizimeve për minatorët në minierën e arit Buffelsfontein vitin e kaluar. Taktika për t’i shtrënguar ata të dalin, u dënua nga një nga sindikatat më të mëdha të Afrikës së Jugut.
Policia dhe pronarët e minierës u akuzuan gjithashtu se hoqën litarët dhe çmontuan një sistem “ashensori”, që minatorët e përdornin për të hyrë në minierë dhe për të dërguar furnizimet nga sipërfaqja.
Një gjykatë urdhëroi autoritetet vitin e kaluar që të lejonin dërgimin e ushqimit dhe ujit për minatorët, ndërsa një vendim tjetër i gjykatës javën e kaluar i urdhëroi të fillonin një operacion shpëtimi.
Marrë nga VOA (Zëri i Amerikës)