Mijëra punonjës dhe qytetarë kanë dalë në protesta në Spanjë, në kuadër të grevës së parë të përgjithshme pas 14 vitesh, duke kundërshtuar rritjen e çmimeve të banesave dhe kostot gjithnjë e më të larta të qirave. Mobilizimi ka prekur disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht industrinë automobilistike, portet dhe transportin publik, ndërsa në Madrid janë regjistruar edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, kriza e strehimit është kthyer në një nga shqetësimet kryesore në vend, pasi qiraja mesatare mujore ka arritur në 1,176 euro, duke përthithur pothuajse 99% të pagës mesatare mujore të të rinjve. Ndërkohë, mungesa e banesave vlerësohet në rreth 750 mijë njësi. Në disa fabrika, përfshirë ato të Volkswagen dhe SEAT, puna është pezulluar, ndërsa sindikatat raportojnë pjesëmarrje të lartë në grevë.