Pas një rritjeje prej 10.6% në korrik, që u interpretua nga institucionet si një zhvillim pozitiv, që tregon diversifikimin e eksporteve nga sektorët tradicionalë të ato me vlerë të shtuar, gushti e ka zbehur këtë eufori, që në fakt ishte e lidhur me faktorë rastësorë, si konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat jashtë dhe grumbullimi i dërgesave të disa muajve nga eksportuesit e lëndëve të para natyrore të vendit.
Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në gusht, eksportet u rritën me vetëm 1.6%.e ndikuar nga performanca e dobët e tekstileve dhe këpucëve dhe rritja më e dobët e materialeve të ndërtimit e metaleve dhe mineraleve e lëndëve djegëse e enegjisë, që dhanë efektin e fortë në korrik. Kjo është performanca më e dobët që nga fillimi i vitit, ku në janar e shkurt eksportet e nisën me rënie të lehtë, për tu rikuperuar më pas.
Grupi i “Tekstile dhe këpucë”, që është punëdhënësi më i madh në industri me rreth 50 mijë persona, ka zbritur në vend të dytë, i ndikuar nga rënia e pandalshme e aktivitetit. Në gusht “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, një sektor që varet nga ecuria e çmimeve, kaluan si grupi më i madh eksportues në vend.
Sipas INSTAT, Në Gusht 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 20,5 mld lekë, duke u rritur me 1,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 39,0%, në krahasim me Korrik 2026.
Gjatë muajit Gusht 2026, në rritjen e eksporteve prej 1,6%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Ushqime, pije, duhan” me nga +1,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,7 pikë përqindje, ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -2,9 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje.
Për 8- mujorin, tendenca vijoi të ishte pozitive. Sipas INSTAT, për periudhën janar-gusht 2026, eksportet ishin 248 miliardë lekë, me rritje 6.3 me bazë vjetore (nga 6.7% që ishte zgjerimi për 7 mujorin). Edhe për 8- mujorin, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet lëndë djegëse e energji, materiale ndërtimi dhe makineri e pjesë këmbimi, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstile e këpucë.
Fasoni, vijon më rënie të fortë
Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar muaj radhazi me rënie. Në gusht rënia ishte -12.4%, pas tkurrjes me mbi 13% në korrik. Për gjithë 8 mujorin eksportet ishin 64 miliardë lekë, me tkurrje 8%, duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.
Si rrjedhojë e tkurrjes së vazhdueshme, tekstile dhe këpucë kanë kaluar në gusht në grupin e dytë më të madh në vend, me 25.8% të totalit, nga 30% që kryesonin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës së Manifakturës thotë se për të kuptuar përmasat e rënies së sektorit dhe perspektivën gjithnjë e më shqetësuese të tij, mjafton të përmendim disa fakte domethënëse.
“Për herë të parë në historinë e eksporteve shqiptare, grupi i tekstileve dhe këpucëve nuk renditet më në vendin e parë. Një sektor që për dekada ka qenë motori kryesor i eksporteve, punësimit dhe zhvillimit ekonomik në shumë zona të vendit, po humbet me shpejtësi peshën dhe konkurrueshmërinë e tij.
Numri i të punësuarve ka rënë nga rreth 65 mijë në vetëm 40 mijë. Kjo do të thotë se brenda pak vitesh janë humbur afërsisht 25 mijë vende pune, kryesisht për gra dhe vajza, por edhe për familje që kanë pasur industrinë prodhuese si burimin kryesor të të ardhurave.
Po aq shqetësuese është edhe rënia e eksporteve: nga rreth 1.4 miliardë euro në vitin 2022, në vetëm 960 milionë euro në vitin 2025. Pra, sektori ka humbur rreth 440 milionë euro eksporte në vetëm tre vjet, duke dëmtuar jo vetëm kompanitë prodhuese, por edhe ekonominë kombëtare dhe bilancin tregtar të vendit”.
Ai shton se një nga shkaqet kryesore të rënies është zhvlerësimi i fortë i euros, nga rreth 119 lekë në vitin 2022 në afro 91 lekë në vitin 2026. Për kompanitë eksportuese, të cilat arkëtojnë në euro, ndërsa pjesën më të madhe të kostove e paguajnë në lekë, kjo ka sjellë një goditje të drejtpërdrejtë në të ardhura, fitime dhe aftësinë për të ruajtur vendet e punës.
“Kësaj i shtohen rritja e kostove të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore, konkurrenca e vendeve të rajonit dhe, mbi të gjitha, mungesa e vëmendjes dhe e politikave konkrete mbështetëse nga qeveria. Ndërsa vendet e tjera subvencionojnë prodhimin, investimet dhe punësimin, bizneset shqiptare vazhdojnë ta përballojnë të vetme krizën”.
Zekja paralajmëron se nëse nuk merren masa të shpejta dhe konkrete, e ardhmja e sektorit do të bëhet gjithnjë e më problematike. Rrezikojmë mbylljen e kompanive të tjera, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe largimin përfundimtar të kontratave e markave të huaja nga Shqipëria. “Mbrojtja dhe transformimi i sektorit prodhues nuk janë më vetëm një kërkesë e biznesit, por një domosdoshmëri ekonomike dhe sociale për vendin”, thekson ai.
Ngadalësohet dhe energjia e lëndët djegëse
Ndërsa fasoni është ndikuar negativisht nga lufta, e kundërta ka ndodhur me eksportet e lëndëve djegëse, që u favorizuan nga rritja e çmimeve në bursa.
Megjithatë, gushti ka qenë më i qetë. Grupi “Minerale. Lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 5.2 miliardë lekë në gusht 2026, me një rritje prej 2.7% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 32% në korrik. Grupi ka kaluar në vend të parë në korrik, me 25% të totalit.
Për 8 mujorin, ky grup ka eksportuar 54.4 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 21%. Për 8 mujorin, ky grup ka vijuar të jetë i dyti më i madh në vend, me rreth 22% të totalit.
Ushqime pije e duhan me rritje
“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që ka shënuar rritje në 2026-n, është përmirësuar në gusht, duke u rritur me 8%. Për tetë mujorin, grupi është zgjeruar me 3.4%. Ky grup ka kaluar në të tretin më të madh në vend, me 15.8% të totalit.
Zbehet lulëzimi i Materiale ndërtimi e metale
Gjatë muajit korrik, grupi i “Materialet e ndërtimit dhe metalet” shënoi një rritje të fortë me mbi 70% duke qenë faktori kryesori që ndikoi në zgjerimin me mbi 10% të eksporteve. Arsyeja kryesore u lidh me faktin që eksportuesi i kromit Albchrome, që hyn në këtë grup, kishte nisur një ngarkesë me prodhimin e disa muajve drejt SHBA-ve.
Eksportet në korrik, rritja erdhi nga shtrenjtimi i naftës dhe mbledhja e prodhimit të Albchrome!
Në gusht, ky grup u ngadalësua, duke u rritur me 10.4%. Për 8- mujorin, eksportet u rritën 21.4%, duke mbetur grupi me ndikimin më pozitiv ë ecurinë e eksporteve për 8 mujorin, së bashku me mineralet, lëndët djegëse e energjinë.
Ngec Industria mbështetëse automotive në gusht
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishte grupi me ecurinë më pozitive në gjashtë 7-mujorin, me zgjerim prej 13.5%. megjithatë në gusht u shfaqën shenja ngadalësimi, me shitjet e këtij sektori jashtë vendit, që u rritën me vetëm 0.1%. për 8 mujorin, grupi është rritur me 12%.
Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar kur kompanitë raportuan se porositë erdhën në rritje. Një pjesë e kompanive prodhojnë pjesë të thjeshta për makineri pune dhe mjete të mëdha transporti një segment që ka qenë në ecuri të qëndrueshme.
Ndërkohë vendimi i KE për të lënë mjetet me djegie të brendshme përtej 2035 ne formë hibride, ndryshoi panoramën edhe për këtë vit ku porositë pritet të jenë në rritje. Presionet kryesore që kjo industri e vendosur në vendin tonë po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros pasi kontratat e tyre janë fikse disavjeçare dhe së treti rritja e beftë e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Rritet deficiti tregtar
Në Gusht 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 20,5 mld lekë, duke u rritur me 1,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 39,0%, në krahasim me Korrik 2026.
Importet e mallrave arritën vlerën 75,6 mld lekë, duke u rritur me 12,6%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 12,6%, në krahasim me Korrik 2026. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 55,0 mld lekë, duke u rritur me 17,4%, krahasuar me një vit më parë dhe me 4,3%, në krahasim me Korrik 2026.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Gusht 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2025 janë: Italia (5,0%), Kosova (1,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Turqia (54,1%), Maqedonia e Veriut (5,6%), etj.
Në muajin Gusht 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2025 janë: Italia (2,2%), Kina (16,9%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Greqia (3,4%), Gjermania (3,6%), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 46,2%, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 63,1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 41,6%, të importeve gjithsej.
Marrë nga Monitor