Ashtu si edhe në Tiranë, niveli 8% për taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja po zbatohet edhe për disa bashki të mëdha të vendit, si Durrës, Vlorë, Fier dhe Shkodër.
Por zbatimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë 8% po ndikon te kostot për ndërtuesit në rrethe, për shkak të shtimit të detyrimit. Ndërtuesit në qytetin e Fierit kanë propozuar pranë Këshillit Bashkiak uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë në 3%, e cila prej 2025 arritur në 8%, njësoj si në Tiranë. Bashkia e Fierit gjithashtu ka njoftuar se konsultimet për propozimin e ndërtuesve për rishikimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë do të nisin më 2 Prill.
Arben Çuko, nënkryetari i këshillit bashkiak në Fier, njëkohësisht dhe ndërtues, pohoi se zbatimi i niveli të taksës 8% pritet të rëndojë sektorin dhe rrezikon të reflektohet në rritjen e çmimeve të apartamenteve, në rast të zhbllokimit të situatës për dhënie të lejeve të reja për qëllime banimi apo shërbimi. Sipas tij dhënia e lejeve të ndërtimit për qëllime banimi nga bashkia e Fierit është e bllokuar prej gati 12 vitesh.
Çuko shton gjithashtu se niveli 8% i vendosur për taksën, është e njëjtë me bashkinë e Tiranës, por ndërkohë tregu i çmimeve të shitjeve dhe dhënieve të lejeve nuk është i krahasueshëm.
“Në Fier çmimi maksimal për shitjen e apartamenteve arrin 900 euro për metër katror, ndërsa në Tiranë çmimet variojnë 2,000-2,500 deri 3,000 euro për metër katror. Po ashtu në qytetin e Fierit, sektori i ndërtimit ka pasur bllokim të lejeve për rreth 12 vite. Propozimi për uljen e taksës shihet si mënyrë për të gjallëruar investimet dhe sektorin në rast se do të ketë një zhbllokim të situatës me lejet e ndërtimit”, nënvizon ai.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë përllogaritet si 8% e çmimit të shitjes për metër katror. Për shembull, për një çmim maksimal shitjeje 900 euro për metër katror në qytetin e Fierit , detyrimi për ndërtuesin arrin në rreth 72 euro për metër katror. Me nivelin 3% të propozuar prej ndërtuesve detyrimi për taksën do të jetë 27 euro për metër katror.
E llogaritur sipas çmimeve të referencës të propozuara për rrethet (për qytetin e Fierit çmimi i referencës maksimal është propozuar 62 mijë lekë për metër katror) për nivelin 8% është 4,960 lekë për metër katror dhe për nivelin 3% detyrimi llogaritet të jetë 1,860 lekë për metër katror.
Në rast të zhbllokimit të dhënies së lejeve të ndërtimit, ndërtuesi Arben Çuko paralajmëron se rritja e çmimeve do të jetë e pashmangshme, e ndikuar jo vetëm nga detyrimi i lartë për taksën e ndikimit në infrastrukturë, por edhe nga kostot në rritje të punës dhe çmimeve të materialeve.
“Për shembull, shtrimi i pllakave ka kaluar nga rreth 450 lekë/ për metër katror në 1,200 lekë për metër katror, ndërsa për suvatimin (suva), përveç materialeve, kërkohen rreth 600 lekë për metër katror vetëm për koston e punës. Ndërkohë, janë shtrenjtuar edhe çmimet për materialet elektrike dhe ato hidrosanitare.
Edhe kostoja e fuqisë punëtore është rritur ndjeshëm, ku një punëtor i thjeshtë nuk pranon të punojë për më pak se 5000 lekë në ditë.
Këta faktorë, të kombinuar me nivelin e lartë të taksës prej 8%, do të ushtrojnë presion të fortë për rritjen e çmimeve të shitjes së apartamenteve në rast të zhbllokimit të dhënies së lejeve të ndërtimit”.
Në qytetin e Durrësit, prej 1 janarit 2023, taksa për ndërtimet e reja me funksion banimi dhe shërbimi është 8%. Ndërsa në qytetin e Vlorës, nga 1 janari 2024, taksa varion nga 4% në 8% sipas zonave, me zgjerim të aplikimit të nivelit maksimal në më shumë zona urbane. Në bashkinë Shkodër gjithashtu aplikohet taksa e ndikimit në infrastrukturë nga 4 deri 8% sipas zonave.
Të dhënat për totalin e arkëtimeve në rang vendi, tregojnë se kjo taksë po gjeneron të ardhura në rritje për bashkitë, por peshën kryesore të totalit të arkëtimeve e mban Tiranë, bashkia e Kamzës, Durrësi dhe zonat bregdetare.
Në vitin 2024 sipas të dhënave të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, u arkëtuan rreth 18.5 mld lekë, me një rritje prej 42% krahasuar me vitin 2023.
Mbi 53% e totalit u realizua në Tiranë, ndërsa Durrës zuri rreth 7.4%. Në bashkitë e tjera, pesha është më e ulët: Elbasan me rreth 3.9%, Vlorë rreth 3.3%, Shkodër 2.9%, Fier 2.6% dhe Korçë rreth 2.2%.
Vetëm Tirana arkëtoi rreth 14.3 mld lekë në 2024, e nxitur nga rritja e lejeve të ndërtimit dhe rritja e çmimeve të referencës që nisën të zbatoheshin nga muaji gusht 2023. Po ashtu sipas të dhënave të INSTAT, sipërfaqja e dhënë për ndërtim arriti nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metër katror, rreth 36% më shumë se një vit më parë dhe niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Marrë nga Monitor