Një studenti në Shqipëri i duhen mesatarisht 602 euro në muaj për të përballuar kostot e jetesës, ku ushqimi dhe akomodimi zënë gati 60% të shpenzimeve.
Një në gjashtë studentë ka menduar të ndërpresë studimet për arsye ekonomike, ndërsa në Universitetin e Tiranës kjo shifër arrin në një në katër.
Sipas Qëndresës Qytetare, mbështetja financiare nuk ka ndjekur rritjen e kostove, ndërsa Karta e Studentit mbetet kryesisht një instrument për transportin publik.
Ushqimi dhe qiraja, barra kryesore e studentëve
Raporti “Portofoli i Studentit”, i publikuar nga Qëndresa Qytetare me mbështetjen e fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” dhe i diskutuar në një tryezë me studentë dhe pedagogë, vlerëson se një studenti në Shqipëri i nevojiten mesatarisht 602 euro në muaj për të përballuar shpenzimet e jetesës. Në vit, kjo kosto arrin në rreth 7,223 euro.
Nga analiza rezulton se ushqimi është zëri më i madh i shpenzimeve, me një mesatare prej 187 eurosh në muaj, i ndjekur nga akomodimi me 169 euro. Së bashku, këto dy kategori përbëjnë rreth 59% të buxhetit mujor të studentëve. Pjesa tjetër shkon për argëtim, materiale studimi, transport, energji, ujë, internet dhe telefon.
Kolindo Vjerdha, nga Qëndresa Qytetare, thotë se gati 40% e kostos mujore të studentëve shkon vetëm për ushqimin, ndërkohë që në universitete mungojnë mensat studentore.
“Pothuajse 40% e kësaj kostoje totale studentit sot i duhen për ushqyerjen, ku në vetvete na mungojnë mensat studentore në universitete”, shprehet Vjerdha.
Edhe pedagogu Ilir Alimehmeti vëren se pjesa më e madhe e shpenzimeve të studentëve nuk lidhet drejtpërdrejt me procesin akademik, por me nevojat bazë për të jetuar dhe për të ndjekur studimet.
“Ajo që pamë këtu bashkë ishte se shpenzimet nuk janë të drejtuara kryesisht drejt asaj që duhet të ishte rezultati akademik, por janë praktikisht të drejtuara drejt mjeteve: fjetje, ushqim, transport. Këto janë shpenzimet që marrin pjesën kryesore të buxhetit të studentëve”, thotë Alimehmeti.
Për Kamela Xhuvanin, studente prej pesë vitesh, rritja e kostove është e dukshme veçanërisht te qiraja, transporti publik dhe ushqimi, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të saj.
“Kam vërejtur një rritje të kostove studentore, tashmë duke përfshirë qiranë, transportin publik, pra urbanin, dhe ushqimet, që janë tre komponentët kryesorë të cilët marrin pjesën më të madhe të të ardhurave të mia, të cilat aktualisht burojnë nga familja”, tregon Xhuvani.
Ajo shton se ndjekja e studimeve me kohë të plotë e bën të vështirë angazhimin në një punë me kohë të plotë, ndërsa mundësitë për punësim fleksibël për studentët mbeten të kufizuara.
Një në gjashtë studentë ka menduar të ndërpresë studimet
Përtej shpenzimeve të përditshme, raporti evidenton edhe ndikimin që vështirësitë ekonomike kanë në vijimin e arsimit të lartë. Sipas të dhënave, 17.16% e studentëve, ose afërsisht një në gjashtë, kanë menduar të ndërpresin studimet për arsye ekonomike. Në Universitetin e Tiranës kjo përqindje arrin në 25%, ose një në katër studentë.
Për shumicën e studentëve, familja mbetet burimi kryesor i të ardhurave. 76.69% e tyre deklarojnë se mbështeten financiarisht te familja, ndërsa vetëm 19.26% sigurojnë të ardhura nga puna. Bursat dhe kreditë studentore zënë një pjesë shumë të vogël të burimeve të financimit.
Vjerdha thotë se, që prej protestës studentore të vitit 2018, kostot janë rritur, por mbështetja financiare nuk ka pësuar ndryshime të krahasueshme.
“Që nga protesta e fundit e studentëve në vitin 2018 e deri më sot, kostot janë rritur dhe mbështetja është e njëjtë. Ajo që kemi parë është se asgjë nuk ka arritur të ndryshojë për sa i përket mbështetjes financiare”, thotë ai.
Një prej instrumenteve që synonte të lehtësonte shpenzimet është Karta e Studentit, por, sipas raportit, përdorimi i saj mbetet kryesisht i lidhur me transportin publik. Studentët shprehen se përfitimet në ushqim, akomodim dhe materiale akademike janë të kufizuara.
“Për hir të së vërtetës, në pjesën më të madhe studentët shprehen se e përdorin vetëm për abonenë, pra nuk vjen si një instrument lehtësues për të përballuar koston totale që studentët kanë”, shprehet Vjerdha.
Mungesa e konvikteve dhe e mundësive për punësim shton barrën
Akomodimi mbetet një tjetër problem për studentët që largohen nga qytetet e tyre për të studiuar. Sipas raportit, gjysma e studentëve të pyetur jetojnë me familjen, ndërsa vetëm një pjesë e tyre akomodohen në rezidencat studentore. Në Shkodër, sipas të dhënave, rreth nëntë nga dhjetë shtretër në konvikte rezultojnë të papërdorur. Ndërkohë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku studiojnë rreth 3,000 studentë nga qytete të tjera, nuk ka rezidencë studentore.
Alimehmeti thekson se rezidencat nuk duhet të shihen vetëm si hapësira fjetjeje, por si pjesë e një infrastrukture më të gjerë që mbështet jetën akademike dhe sociale të studentëve.
“Rezidencat studentore nuk mund t’i konsiderojmë thjesht si fjetore. Ato duhet të mbështeten me sistemet e arsimit, me infrastrukturë, argëtim dhe hapësira të tjera. Jeta studentore nuk është thjesht libër dhe prodhim, por diçka më shumë. Kujtimet tona kryesore nga koha e studentit lidhen edhe me jetën shoqërore, sportive dhe rrjetin që kemi krijuar”, thotë pedagogu.
Një tjetër çështje që ngrihet është mungesa e mundësive për punësim me kohë të pjesshme brenda universiteteve dhe rezidencave. Pedagogu Sander Kovaçi sugjeron që studentët të angazhohen në shërbime universitare, biblioteka apo recepsione, duke siguruar të ardhura shtesë pa u larguar nga ambienti ku studiojnë.
“Studentët nuk kanë asnjë mundësi që të punësohen me kohë të pjesshme në universitet apo në rezidencat universitare. Mund të punojnë në bibliotekë, në recepsione apo në shërbime të tjera, siç ndodh në universitetet e botës”, thotë Kovaçi.
Sipas tij, një mekanizëm i tillë do t’u mundësonte studentëve të punonin disa orë në ditë dhe të siguronin një të ardhur shtesë për të përballuar shpenzimet.
Për Qëndresën Qytetare, këto problematika kërkojnë ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke nisur nga ndërtimi i konvikteve dhe i mensave publike, subvencionimi i qirave për studentët në nevojë dhe rishikimi i bursave në raport me koston reale të jetesës.
“Sot kemi një universitet publik siç është Universiteti i Durrësit që nuk ka konvikte. Ka mbi tre mijë studentë të cilët vijnë nga qytete të tjera. Ne sot duhet të ulemi dhe të shohim arsimin si prioritet, padyshim duke mos e veçuar nga sektorët e tjerë, por është shumë e rëndësishme të kuptojmë nevojat reale dhe t’i kthejmë në zgjidhje konkrete”, përfundon Kolindo Vjerdha.
Raporti i Qëndresës Qytetare rekomandon ndërtimin e një kampusi dhe të një rezidence moderne pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, rishikimin e bursave në raport me kostot reale të jetesës, si dhe përmirësimin e shërbimeve dhe përfitimeve që ofron Karta e Studentit. Po ashtu, kërkohet krijimi i mensave publike, një masë që mbështetet nga 68.52% e studentëve të pyetur.
Marrë nga Citizens.al