Libra që i përkasin bibliotekës personale të Ernest Koliqit iu dhuruan bibliotekës së qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit Ardian Ndreca. Kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci thotë se bashkia ka mundësuar dhe hapjen e një salle me emrin e tij. “Shkodra është qyteti, si përkufizim, me çdo gjë që ai përfaqëson, e si i tillë, ai thërret, t’ban me u kthy. Është fat dhe kontribut i Adrian Ndrecaj e ” Shejzat”, si dhe Bashkia Shkodër, që sot në qytet kthehet, një pjesë e shpirtit, mendjes e krijimit të Ernest Koliqit.
Por qyteti duhet me ditë edhe me pritë, e ndaj sot, përveçse me mikpritë e pa me kureshtje e krenari këtë pasuri nga biblioteka e Koliqit, bashkia mundësoi hapjen e sallës me emrin e tij. Kjo sallë u riorganizua dhe u kushtohet qytetarëve që te biblioteka publike “Marin Barleti” gjejnë dyer e mendje të hapura për me shpërbly kureshtjen, talentin e prirjen për dije e art”, shprehet Beci në rrjete sociale. Për studiuesin Ardian Ndreca, njëherësh drejtues i organizatës “Shejzat” kjo sasi librash është një pasuri e jashtëzakonshme që i vjen qytetit të Shkodrës.
Ernest Koliqi (Shkodër, 21 maj 1901 -Romë, 15 janar 1975) ishte poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues dhe botues shqiptar. Cilësohet së bashku me Mitrush Kutelin si themelues i tregimit modern shqiptar, me përmbledhjet Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936). Në mars të vitit 1947 themeloi dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.