Bojkot i Kuvendit të Kosovës në kuadër të “veprimit strategjik” dhe paraqitje të shkurtra në seanca një herë në gjashtë muaj, për të mos humbur mandatin.
Kështu ka vepruar kryesisht Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës për vite me radhë, parti që nga themelimi i saj ka konsideruar aleat të fuqishëm polik Beogradin zyrtar, kur në pushtet ishte Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Megjithatë, javëve të fundit, deputetët e Listës Serbe po e përdorin gjithnjë e më shpesh foltoren e Kuvendit dhe po flasin për problemet e komunitetit serb, të cilin e përfaqësojnë me nëntë deputetë në këtë legjislaturë.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur në Serbi zgjedhjet i ka fituar Lista Studentore, ndaj shtrohet pyetja nëse partia më e madhe e serbëve të Kosovës po përpiqet të pozicionohet politikisht si më e pavarur nga Beogradi, apo thjesht po kërkon një rol të ri në rrethanat e ndryshuara.
“Lista Serbe do të ndryshojë, ajo tashmë po ndryshon. Po shohim se po ndryshon dhe po ofrohet si kanal komunikimi mes Beogradit dhe Prishtinës”, vlerëson Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.
Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë konsideron se Lista Serbe është përballur me nevojën për ta ripërcaktuar strategjinë e saj politike, pas rënies nga pushteti të Aleksandar Vuçiqit, ish-presidentit të Serbisë, mbështetjen e të cilit e gëzonte.
“Në rrethanat kur mbështetja e Beogradit nuk është më e garantuar, Lista Serbe mund ta shohë përfaqësimin institucional në Kosovë si burimin kryesor për ruajtjen e fuqisë së saj politike”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë.
Lista Serbe paraqitet si ‘faktor i domosdoshëm’
Deputetët e Listës Serbe më 20 nëntor paralajmëruan për pasojat e dëmshme të mundshme të projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe objektet e saj fetare.
Më herët, deputetët e kësaj partie kishin ngritur edhe probleme të tjera, siç është mosinvestimi i mjaftueshëm i Qeverisë së Kosovës në zonat ku jeton komuniteti serb në Kosovë.
Përveçse ka nëntë nga dhjetë ulëset parlamentare të rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe udhëheq edhe në të dhjetë komunat të banuara me shumicë serbe.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe është “parti shtetformuese dhe faktor i domosdoshëm në jetën politike të serbëve në Kosovë”.
“Si të tillë, pushteti në Prishtinë e sheh si pengesë”, thotë Radojeviq.
Lista Serbe, pas fitores së Listës Studentore në Serbi, tha se shpreson që bashkëpunimi institucional me Beogradin do të vazhdojë.
Një qëndrim të ngjashëm shpreh edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke theksuar se “serbët e Kosovës gjithmonë kanë shikuar drejt Beogradit” dhe se Beogradi u ka qenë gjithmonë më afër sesa Prishtina.
Në këtë kontekst, ai thotë se shpreson se edhe autoritetet e reja në Serbi do të vazhdojnë ta mbështesin komunitetin serb në Kosovë, si financiarisht, ashtu edhe politikisht.
Rada Trajkoviq thekson se Lista Serbe aktualisht ka mundësi t’i shfrytëzojë garancitë kushtetuese për mbrojtjen e komunitetit serb dhe, përmes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të parandalojë edhe vendime eventualisht të dëmshme.
“Interesi i serbëve është që të punohet në diçka që nënkupton shfrytëzimin e të gjitha kanaleve dhe mundësive për të ndaluar eventualisht diçka që është në dëm të serbëve, ndërsa ata [Lista Serbe] megjithatë kanë disa kanale”, konsideron ajo.
Megjithatë, sipas vlerësimit të saj, tani është e nevojshme që Lista Serbe të distancohet qartë nga Millan Radoiçiqi, i cili, siç thotë ajo, i ka shkaktuar dëme të mëdha komunitetit serb në Kosovë.
Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, udhëhoqi sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, në vitin 2023, gjatë të cilit u vra një polic kosovar. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ai gëzonte mbështetjen e pushtetit të mëparshëm në Beograd, por pas humbjes së SNS-së në zgjedhje, ai nuk dihet se ku ndodhet dhe autoritetet në Serbi lëshuan një fletarrestim ndaj tij.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, prej vitesh refuzon të bashkëpunojë me Listën Serbe, me arsyetimin se ajo vepron si një zgjatim i Beogradit në dëm të Kosovës.
Marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës u përkeqësuan edhe më shumë pas sulmit të armatosur në Banjskë, kur edhe partitë e tjera shqiptare refuzuan komunikimin me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Lista Serbe në të gjitha zgjedhjet në Kosovë në të cilat ka marrë pjesë ka fituar kryesisht mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por njëkohësisht është përballur me akuza për presione përmes pozitave dhe mekanizmave që i ka dhënë Beogradi zyrtar.
Shumica e zyrtarëve të kësaj partie udhëheqin institucione të Serbisë në Kosovë, siç është kryetari Zllatan Elek, i cili është drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, ndërsa deputeti Igor Simiq është në krye të Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Serbisë.
Pse Lista Studentore refuzon bashkëpunimin me Listën Serbe?
Deputeti i Kuvendit të Serbisë nga Lista Studentore, Jugosllav Gashiq, në disa raste ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Listën Serbe.
Si arsye ai ka përmendur pozitën e keqe të komunitetit serb, për të cilën ka fajësuar pikërisht Listën Serbe dhe SNS-në, e cila ka qenë në pushtet në Serbi për 14 vjet.
Gashiq ka thënë gjithashtu se komunikimi eventual me deputetët e Listës Serbe do të zhvillohet përmes bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa për komunikimin në nivel lokal do të jenë përgjegjës drejtuesit e institucioneve të Serbisë që do të emërohen.
“Që të dyja palët duhet të bisedojnë në një mënyrë që nënkupton së paku ta dëgjojnë njëra-tjetrën”, vlerëson ajo.
Belgzim Kamberi, ndërkaq, thekson se Lista Serbe, para së gjithash, ishte “instrument për zbatimin e politikës së [ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit ndaj Kosovës” dhe se fati i saj politik tani do të varet më shumë nga politika e pushtetit të ri në Beograd ndaj Kosovës.
“Në këtë kontekst, çështja kyç është nëse pushteti i ri në Beograd do të përpiqet ta ruajë modelin e deritanishëm të monopolit vertikal njëpartiak, qoftë përmes Listës Serbe apo aktorëve të tjerë politikë, apo do ta heqë dorë nga kjo paradigmë në favor të një modeli më horizontal, autonom dhe pluralist të organizimit politik të serbëve të Kosovës”.
Sipas Kamberit, sfidë mbetet edhe për Qeverinë e Kosovës, edhe për Qeverinë e Serbisë, se si ta konceptojnë integrimin e serbëve të Kosovës me pjesëmarrjen e Listës Serbe, por edhe jashtë kornizave të saj, në mënyrë që perspektiva politike, institucionale dhe socio-ekonomike e këtij komuniteti të mos kushtëzohet nga fati politik i kësaj partie.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë