Irani ka thënë të enjten se po e shqyrton propozimin më të fundit të Shteteve të Bashkuara, për të cilin burimet thonë se do t’i jepte fund luftimeve, por do të linte të hapura disa çështje kyç.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se është “shumë e mundshme” të arrihet marrëveshje, por paralajmëroi gjithashtu se luftimet do të rifillojnë, nëse Teherani do ta hedhë poshtë marrëveshjen.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, ISNA citoi një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të ketë thënë se Teherani e kishte marrë propozimin amerikan dhe tani po i shqyrton hollësitë, megjithëse ai la të kuptohej se kishte dispozita të papranueshme për udhëheqësit e republikës islamike.
Propozimi amerikan për t’i dhënë fund luftës është ende “nën shqyrtim”, citohet të ketë thënë Esmaeil Baqaei. Ai shtoi se Teherani do t’ia përcjellë përgjigjen ndërmjetësit, Pakistanit, pasi të “marrë një qëndrim përfundimtar”.
Megjithatë, Trump tha se bisedimet e ndërmjetësuara nga Pakistani po shkojnë mirë.
“Ata duan të arrijnë marrëveshje. Kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundshme që ta arrijmë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën vonë.
Më vonë, në një video mesazh drejtuar një tubimi të Partisë Republikane në Xhorxhia, Trump deklaroi se lufta “do të përfundojë shpejt”.
Me këto deklarata ai shprehu një ton më optimist pas një postimi në rrjetet sociale më herët gjatë ditës, në të cilin Trump kërcënoi me rifillimin e fushatës amerikane të bombardimeve kundër Iranit dhe e quajti “supozim të madh” mundësinë që Teherani të pranojë propozimin amerikan.
Reuters citoi një burim pakistanez dhe një person tjetër të informuar për çështjen, të cilët thanë se palët janë afër marrëveshjes për një memorandum njëfaqësh që do t’i jepte zyrtarisht fund konfliktit.
Sipas burimeve të Reuters, më pas do të zhvilloheshin bisedime për zhbllokimin e transportit detar përmes ngushticës, heqjen e sanksioneve të mëdha amerikane ndaj Teheranit dhe vendosjen e kufizimeve për programin bërthamor të Iranit.
Teherani ka këmbëngulur gjithmonë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile, ndërsa SHBA-ja, Izraeli dhe vende të tjera perëndimore e kanë akuzuar se po bën përpjekje për ta zhvilluar ndonjë bombë bërthamore.
Ligjvënësi iranian Ebrahim Rezaei, i cili shërben gjithashtu si zëdhënës i Komisionit Parlamentar iranian për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare, tha se një version i mëparshëm i propozimit amerikan ishte “më shumë listë dëshirash amerikane sesa realitet”.
“Amerikanët nuk do ta fitojnë në një luftë që po e humbasin atë që nuk e kanë fituar në bisedimet ballë për ballë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Reuters citoi një burim të ketë thënë se ekipi negociator amerikan po udhëhiqet nga i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Nëse memorandumi i tanishëm njëfaqësh pranohet nga të dyja palët, atëherë do të nisin bisedime të hollësishme njëmujore për të arritur një marrëveshje të plotë, tha burimi.
Ndërkohë, Presidenca franceze tha se po dërgonte aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle në pjesën jugore të Detit të Kuq për t’u pozicionuar paraprakisht për një mision të mundshëm për rikthimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Misioni i saj dërgon “sinjal se ne jo vetëm që jemi të gatshëm ta sigurojmë Ngushticën e Hormuzit, por jemi edhe në gjendje ta bëjmë këtë”, tha Presidenca franceze.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë