Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill.
Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita. Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
Megjithatë, sipas Osmanit, përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit.
“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani.
Ajo ka thënë se do t’i shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve me krerët e partive politike.
“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme”.
Sipas saj, zvarritjet do të krijonin situata tjera edhe më të rrezikshme.
“Pa qartësi kushtetuese, një proces i zvarritur pa fund, siç e kemi parë edhe më 2025, dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij”.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë