Partia Demokratike ka reaguar ndaj një qëndrimi të fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që sipas saj, përbën një rikthim në legalitet, pas tre vitesh ku “opozita u pengua përmes vendimeve të motivuara politikisht nga administrata Biden, Soros dhe Rama”.
Deklarata e PD vjen menjëherë pas një shkrimi të gazetarit amerikan Marc Caputo, i cili në rrjetin “X” publikoi një përgjigje nga Departamenti i Shtetit, pas një pyetjeje në lidhje me statusin e vizës së Berishës: “E pyeta DASH për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA.”
Megjithatë, në përgjigjen e DASH nënvizohen edhe klauzola përjashtuese: “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare.”
Ajo që ka ngjallur reagime është pjesa e dytë e deklaratës, ku duket se DASH e distancon veten nga vendimi i epokës Biden, duke e cilësuar si një vendim të politizuar që “ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy popujve”.
“Ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it.”
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe familjarët e tij u shpallën “non grata” më 19 maj 2021, me arsyetimin se ishin të përfshirë në korrupsion madhor dhe ndërhyrje në procese publike, sipas ish-sekretarit të Shtetit Antony Blinken. Berisha i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi ndaj Blinken.
Marrë nga Lapsi.al