Një projekt-urdhër ekzekutiv i administratës Trump, që thuhet se po qarkullon mes diplomatëve amerikanë, propozon një ristrukturim radikal të Departamentit të Shtetit të SHBA, përfshirë reduktime drastike të operacioneve në Afrikën Sub-Sahariane, misioneve dhe zyrave që lidhen me klimën, refugjatët, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe barazinë gjinore.
Sipas Bloomberg, i cili ka parë një kopje të projektit prej 16 faqesh, këto ndryshime – nëse zbatohen – do të përbëjnë një nga riorganizimet më të mëdha të departamentit që prej themelimit të tij në vitin 1789. The New York Times ishte i pari që raportoi për këtë draft.
Departamenti i Shtetit e ka mohuar raportin, duke thënë për Newsweek se bëhet fjalë për “një dokument tërësisht të rremë”.
Më herët të dielën (20 prill), Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e quajti “lajm të rremë” këtë raportim, në një postim në X. “New York Times bie viktimë e një tjetër mashtrimi.”
Sipas raportimeve, propozimet përfshijnë gjithashtu eliminimin e Byrosë për Organizatat Ndërkombëtare, e cila bashkëpunon me Kombet e Bashkuara, si dhe shkurtime në operacionet diplomatike në Kanada.
Me këto ndryshime, Departamenti i Shtetit do të riorganizohej në katër rajone: Indo-Paqësor, Amerikë Latine, Lindjen e Mesme dhe Euroazi. Por një numër i pacaktuar ambasadash dhe konsullatash “jo thelbësore” në Afrikën Sub-Sahariane do të mbyllen.
Sipas New York Times, Trump mund ta nënshkruajë këtë urdhër që këtë javë, dhe ndryshimet do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.
Qëllimi i urdhrit është të vendosë një “riorganizim të disiplinuar” të departamentit dhe të “thjeshtojë realizimin e misionit” duke shkurtuar “shpenzimet e panevojshme, mashtrimet dhe abuzimet”.
Çdo riorganizim radikal vjen pas përpjekjeve të mëparshme të administratës Trump për të bashkuar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) me Departamentin e Shtetit, duke ndërprerë dhe më pas rivendosur disa operacione, përfshirë programet për ndihmën ushqimore emergjente.
Sipas urdhrit, Byroja për Çështje Humanitare do të “marrë përsipër çdo detyrë thelbësore më parë të realizuar nga USAID”.
Projekt-urdhri i publikuar të dielën do të eliminonte Byronë për Çështje Afrikane, të dërguarin special për klimën, Byronë për Organizata Ndërkombëtare dhe Zyrën për Çështje Globale të Grave.
“Marrëdhëniet diplomatike me Kanadanë do të mbulohen nga një ekip i reduktuar ndjeshëm i deleguar si Zyra për Çështjet e Amerikës së Veriut (NAAO) brenda Zyrës së Sekretarit,” thuhet në dokument. Kjo përfshin edhe shkurtim të madh të ambasadës amerikane në Ottawa.
Riorganizimi gjithashtu do të bënte që stafi diplomatik amerikan të caktohej në një rajon për të gjithë karrierën e tyre, në vend që të zhvendoseshin në rotacion nëpër botë. Bursat Fulbright të ndara nga Departamenti i Shtetit do të reformohen si “vetëm për studime në nivel masteri në disiplina që lidhen me sigurinë kombëtare”, me theks në gjuhë “kritike”.
Bursat e lidhura me universitetin historikisht afro-amerikan Howard në Uashington do të anulohen si pjesë e përpjekjeve të administratës për të përfunduar iniciativat për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI).
“Të gjitha pozicionet dhe detyrat duhet të marrin miratimin e shkruar eksplicit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara”, thuhet në urdhërin që gjithashtu propozon heqjen e provimit të shërbimit të jashtëm për ata që synojnë të bëhen diplomatë. Kriteret e reja për rekrutimin përfshijnë “përputhjen me vizionin e politikës së jashtme të presidentit.”
Ky urdhër nuk është dokumenti i vetëm që qarkullon për të propozuar ndryshime në operacionet diplomatike të SHBA. Një tjetër propozon një ulje me 50% të buxhetit të Departamentit të Shtetit, dhe një i tretë kërkon mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave.
Sipas faqes zyrtare të departamentit, stafi i tij përfshin 13,000 anëtarë të shërbimit të jashtëm, 11,000 punonjës të shërbimit civil dhe 45,000 punonjës të punësuar në nivel lokal në mbi 270 misione diplomatike në mbarë botën.
Marrë nga The Guardian