Pas shumë thirrjesh e kritikash, që më së shumti bëhen publike në median e shkruar dhe në studio televizive – pasi kërkesat zyrtare dhe kritikat censurohen nga kapiteni – presidenti që nuk merr guximin të përballet me anëtarët e tij, të flasë hapur dhe marrë përgjegjësitë e mbarëvajtjes së aktivitetit basketbollistik, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Kërkesa pa përgjigje ndaj anëtarëve, një verë me aktivitete ndërkombëtare dhe asnjë analizë për rezultatet skandaloze, me të cilat një vit më parë u mbushën rrjetet duke u shitur si “suksese të rreme”. FSHB është në krizë jo për shkak të mungesës së talenteve apo pasionit në fushë, por për shkak të një federate që e ka humbur besimin, legjitimitetin dhe autoritetin moral për të drejtuar. Ky është realiteti i hidhur i Federatës Shqiptare të Basketbollit nën drejtimin e Avni Ponarit. Në qendër të gjithçkaje mbetet pyetja që të gjithë e bëjnë: Pse ka frikë presidenti të mbledhë Asamblenë e Federatës Shqiptare të Basketbollit? Mesa duket, ai ka frikë nga Asambleja. Herët e fundit që ajo është mbledhur, i është kthyer në boomerang, pasi shoqatat me të drejtë kanë ngritur shqetësime për drejtimin autoritar të “një burri të vetëm”, kanë denoncuar mungesën e transparencës dhe arrogancën e drejtimit.
Një federatë që mbyll gojën me gjoba
Në vend që të krijojë hapësira për debat, FSHB ka zgjedhur një rrugë tjetër: të gjobisë ata që flasin. Në rregulloren e saj thuhet: “Deklaratat fyese të personave drejtues të shoqatave, trajnerëve, lojtarëve apo personave të tjerë që qëndrojnë në stol, të cilat dëmtojnë imazhin e FSHB-së, të bëra publikisht në media apo rrjete sociale – gjobiten me 1 milion lekë”. Pra, në një kohë kur vetë federata fyen ditë pas ite shoqatat – duke mos i pyetur, por duke i përdorur ato si vegël për të mbushur arkat e veta me vendime ekonomike të njëanshme – tenton të mbyllë gojën e kujtdo që guxon të flasë. Kjo është jo vetëm arrogancë, por edhe frikë e pastër nga e vërteta. Madje ka shkuar aq larg sa të fshijë edhe komentet kritike në rrjetet e saj sociale – një praktikë e turpshme për një institucion që duhet të jetë i hapur, transparent dhe demokratik. Ky është tregues i qartë se federata është zhytur në llumin e turpit, dhe se presidenti Ponari nuk pranon as realitetin, as përgjegjësitë e veta.
Federata, e kthyer në një “mol” privat per Ponarin dhe rrethin e tij të ngushtë
Ministria e Sportit nuk mund të heshtë
Ministria e Sportit, si institucioni që çertifikon legjitimitetin dhe delegon misionin për organizim të aktiviteteve basketbollistike kombëtare dhe ndërkombëtare në të gjitha kategoritë, duhet të shqyrtojë seriozisht alternativat pasi kjo federatë po humb çdo ditë kompetencat ligjore dhe sportive, duke mbetur thjesht federata e 3×3 dhe bashkëpunimit me gjyqtarët e futbollit. Çudira që vetëm kjo federatë mund të shpikë dhe sajojë për shkak të amortizimit të saj në drejtim. A do të vazhdojë ministria të mbyllë sytë ndaj shkeljeve flagrante të FSHB-së? A do të lejojë që fondet publike të shpërdorohen pa llogari dhe me rezultate negative. Është detyrë e shtetit të sigurojë që fondet shkojnë për zhvillim – jo për shkatërrim. Për më tepër që këtyre fondeve i atashohet dhe kontributi i trajnerëve të tenderuar që zgjidhen sipas “kush paguan më shumë” merr ekipin kombëtar. Është detyrë e institucioneve shtetërore të vendosin një kontroll të plotë mbi këtë federatë që sot funksionon jashtë çdo norme ligjore.
Avni Ponari nuk është pronari i basketbollit
Ky president mendon se basketbolli është prona e tij. Por ai harron një gjë: sakrificat e klubeve, lodhja e trajnerëve, pasioni i sportistëve dhe kontributi i brezave nuk janë për të, por për këtë sport. Paratë mund të blejnë shumë gjëra, por nuk blejnë respektin, historinë dhe lavdinë e një sporti.
Thirrje për komunitetin
Basketbolli shqiptar është një pasuri kombëtare, një traditë që ka rritur breza të tërë me kulturë, disiplinë dhe qytetari. Nuk mund të lihet peng i interesave personale. Nëse ky president nuk ka guximin të përballet me realitetin, atëherë duhet të pranojë dështimin dhe të tërhiqet. Sepse një gjë është e qartë: Basketbolli shqiptar nuk është dhe nuk do të jetë peng i interesave personale. Dhe sa më shumë të vonohet kjo ditë, aq më shumë Avni Ponari do të mbahet mend jo për atë që bëri për sportin, por për atë që i mori atij.
Marrë nga Gazeta Sot