Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të shtetasit me inicialet G.V., i dyshuar për përvetësimin e paligjshëm të objektit dhe truallit të “Fabrikës së Miellit nr. 1” në Vlorë, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.
Nga hetimet dyshohet se G.V. ka përvetësuar, nëpërmjet shpërdorimit të besimit, objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr. 1”, duke e regjistruar atë në emrin e tij dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë, ky veprim ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të shoqërisë, shtetasve A.C., G.Z. dhe V.Q.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se personi nën hetim ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë te shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke ngritur dyshime edhe për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.