51 organizata shqiptaro-amerikane i kanë drejtuar një letër kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës kërkojnë ndalimin e përdorimit të forcës nga policia ndaj protestuesve, lirimin e personave të arrestuar gjatë tubimeve dhe pezullimin e legjislacionit të ri për protestat. Të njëjtën letër ato ia kanë përcjellë edhe 246 organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, duke kërkuar vëmendjen dhe ndërhyrjen e tyre për situatën në Shqipëri.
Organizatat e lidhin përshkallëzimin e situatës me zhvillimet e nisura më 13 tetor 2026, duke përmendur përplasjet, plagosjen e protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe dëmtimin e pronës. Ato kundërshtojnë gjithashtu vendosjen e gjobave të rënda dhe miratimin e ligjeve të reja kufizuese, të cilat, sipas tyre, kanë cenuar të drejtat civile, kanë shtuar frikën dhe kanë thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
Mes kërkesave kryesore është ndalimi i menjëhershëm i përdorimit pa dallim dhe joproporcional të plumbave prej gome, topave të ujit dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve dhe gazetarëve. Po ashtu, kërkohet reduktimi i pranisë së forcave të policisë në protestat paqësore dhe ndalimi i përdorimit të masave administrative, gjobave të rënda dhe ndalimeve të udhëtimit për të ushtruar presion ndaj protestuesve.
Në mënyrë të veçantë, letra ndalet te mbrojtja e të miturve. Organizatat kërkojnë hetim të pavarur për çdo pretendim mbi ushtrimin e dhunës policore ndaj fëmijëve dhe që asnjë i mitur të mos merret në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, avokatit dhe psikologut.
Një nga pikat më të rëndësishme të letrës është kërkesa për pezullimin e legjislacionit të ri për protestat, i cili, sipas organizatave, është miratuar me dekret emergjence më 28 tetor 2026, pa debat parlamentar. Ato pretendojnë se ky legjislacion vendos kufizime të gjera mbi tubimin, shprehjen dhe udhëtimin, të shoqëruara me gjoba të rënda. Për këtë arsye, kërkojnë që ai të mos zbatohet deri në shqyrtimin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, si dhe diskutimin në Parlament. Organizatat kundërshtojnë edhe krijimin e një regjistri me qytetarët e cilësuar si “individë të dhunshëm”, duke kërkuar që askujt të mos i mohohet aksesi në transport, aeroporte apo hotele pa një vendim fajësie nga gjykata.
Në pikën e fundit të letrës, 51 organizatat shqiptaro-amerikane i kërkojnë drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqjen. Sipas tyre, kjo do të shërbente për rikthimin e besimit publik dhe krijimin e kushteve për një tranzicion paqësor, reforma institucionale dhe zgjedhore, si dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Marrë nga Balkanweb.com