Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka njoftuar qytetarët se nga sot ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentës me Italinë. Njohja e patentës u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike dhe as nga pjesa praktike.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim bëhet me dije se finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë.
Marrë nga Kosovapress.com