Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, që përfaqëson pesë komunitetet fetare kryesore, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të qeverisë “Për Barazinë Gjinore”, duke ngritur shqetësime për atë që e cilëson si një tentativë për të riformuar themelet biologjike dhe morale të shoqërisë shqiptare.
Në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve më të larta të shtetit — Presidentit Bajram Begaj, Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Evis Sala — Këshilli Ndërfetar paralajmëron se mënyra si qeveria po e shtyn përpara projektligjin rrezikon të shkaktojë ndarje të thella shoqërore dhe të cënojë vlerat fetare, morale dhe familjare të shqiptarëve.
Sipas raportit të ekspertëve të pesë komuniteteve fetare, projektligji sjell një ndryshim thelbësor në përkufizimin e fjalës “gjini”, duke e zgjeruar nga ndarja binare mashkull/femër në një kuptim “gjithëpërfshirës”, që përfshin identitetin dhe shprehjen gjinore.
Ky ndryshim, sipas Këshillit, bie ndesh me legjislacionin aktual, përdorimin gjuhësor dhe dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar.
Në dokumentin me numër protokollar Nr. 19 Prot., datë 10 tetor 2025, Këshilli paralajmëron për “kaos terminologjik” dhe “paqartësi ligjore” që mund të prekin Kodin e Familjes, Ligjin për Gjendjen Civile dhe Ligjin Zgjedhor.
Sipas tyre, qeveria po përpiqet të imponojë një model ideologjik të huaj, pa debat publik dhe pa konsultim real me grupet e interesit.
Në deklaratën e përbashkët, pesë komunitetet fetare theksojnë se qeveria Rama po e përdor nocionin e barazisë gjinore “përtej kuptimit të saj natyror”, duke rrezikuar ta kthejë në një instrument politik e ideologjik.
“Çdo rregullim ligjor duhet të ruajë dinjitetin e njeriut, të respektojë natyrën njerëzore dhe të mos cenojë themelet morale të shoqërisë,” thuhet në deklaratë.
Sipas Këshillit, projektligji në formën aktuale nuk mbron barazinë, por relativizon konceptin e gjinisë dhe shkëput njeriun nga natyra e tij biologjike — një proces që ata e shohin si të dëmshëm për kohezionin social dhe për sistemin arsimor.
Në këtë kuadër, komunitetet fetare theksojnë se roli i prindërve në edukimin moral e seksual të fëmijëve po anashkalohet nga shteti, në kundërshtim me parimet kushtetuese.
“Familja është institucioni themelor i shoqërisë. Prindërit duhet të ruajnë të drejtën e patjetërsueshme për të vendosur mbi përmbajtjen e kurrikulave shkollore,” — nënvizohet në letrën drejtuar qeverisë.
Në përfundim, Këshilli Ndërfetar apelon që projektligji i qeverisë të rishikohet në frymë dhe përmbajtje, për të mos u kthyer në “një mjet imponimi apo ndëshkimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe”.
“Respekti ndaj diversitetit nuk mund të arrihet duke mohuar dallimin e lindur ndërmjet burrit dhe gruas. Barazia gjinore duhet të mbetet një mjet për drejtësi dhe bashkëjetesë, jo për përçarje ideologjike,” përmbyllet deklarata.
Marrë nga Syri.net