Ngjarjet e regjistruara në Theth përgjatë ditëve të fundit, ku fadromat janë duke rrafshuar të gjitha ndërtimet e bëra pa leje nga banorët kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve, përfshirë këtu edhe të aktivistëve.
Një reagim i fortë ka ardhur së fundmi nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilët thonë se ajo që po ndodh sot në Theth nuk ndryshon nga situata në Drilon-Tushemisht, ku turizmi i pakontrolluar dhe ndërhyrjet me qëllim përfitimet monetare po kërcënojnë seriozisht trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.
Përmes një postimi në “Facebook” ata thonë se po diskutohet që fshatrat turistikë në juglindje të vendit të përfshihen në listën e pasurive botërore të UNESCO-s në rrezik, për shkak të keqmenaxhimit institucional dhe ndërtimeve të papërgjegjshme.
Sipas aktivistëve për pesë vite me radhë, misionet e UNESCO-s kanë rekomanduar ndalimin urgjent të çdo ndërtimi pranë liqenit të Pogradecit, si dhe çdo projekt tjetër të financuar nga AADF, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Megjithatë, sipas Forumit, këto rekomandime janë injoruar nga autoritetet, ku vetë figura publike si ministria Mirela Kumbaro dhe Michael D. Granoff, në vend që të mbronin vlerat e trashëgimisë, bënin “punë vullnetare” simbolike ndërsa betonizimi përparonte.
“Ajo qe po ndodh sot ne Theth nuk ndryshon shume nga situata me zhvillimin e turizmit ne Drilon-Tushemisht, per te cilen po diskutohet sot vendosja në listën e rrezikuar si pasojë e keqadministrimit të kësaj qendre te pasurisë boterore të UNESCO nga autoritetet shteterore ne bashkëpunim me AADF.
Për 5 vjet me rradhë misionet e UNESCO rekomandonin nderprerjen urgjente te ndertimeve ne bregun e liqenit dhe cdo lloj plani tjeter ndertimor te financuar dhe mbeshtetur nga AADF, ndersa z. Granof dhe shoqja Kumbaro benin punë vullnetare. Të na rrojnë pemet e Granofit tani se liqenin e “mori lumi””, shkruan Formumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Marrë nga Nwsbomb.al