Gjatë protestave të ditëve të fundit, Policia ka arrestuar dy persona, ka proceduar penalisht 19 të tjerë dhe ka vendosur 67 gjoba, sipas njoftimit zyrtar të institucionit. Me këto masa, numri i përgjithshëm i gjobave të vendosura ndaj protestuesve ka arritur në 253.
Në pranga kanë rënë E. K., 33 vjeç, i dyshuar për dëmtimin e trafikndarëseve dhe thyerjen e stendave të reklamave, si dhe I. R., 23 vjeç, i dyshuar për goditjen e një punonjësi policie për shkak të detyrës.
Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe një 15-vjeçar për veprat penale të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimit të pronës dhe mosbindjes ndaj urdhrave të policisë. Sipas njoftimit, procedim penal është nisur edhe për 18 persona të tjerë.
Nga 67 gjobat e vendosura gjatë ditëve të fundit, dy janë në masën maksimale prej 500 mijë lekësh, ndërsa pjesa tjetër janë nga 5 mijë lekë.
Policia pretendon se protestuesit kanë vijuar të pengojnë qarkullimin e automjeteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për lirimin e rrugës. Materialet procedurale për rastet e evidentuara i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Masat ndëshkuese mbështeten në aktin normativ të miratuar më 28 tetor, i cili parashikon nëntë kategori gjobash, nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar.
Një prej rasteve që ka nxitur reagime publike është ai i 17-vjeçarit Erind Goçllari, ndaj të cilit Policia vendosi një gjobë prej 500 mijë lekësh të reja, ose 5 milionë lekësh të vjetra, për pjesëmarrjen në protestën e 7 nëntorit. Kjo është masa maksimale e bërë publike në kuadër të ndëshkimeve ndaj protestuesve. Në rastin e Goçllarit, Policia nuk ka bërë publik një shpjegim konkret mbi rrethanat që çuan në vendosjen e gjobës maksimale.
Aktet normative që parashikojnë këto masa ndëshkuese janë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese. Disa grupe studentore dhe organizata të shoqërisë civile, mes tyre Qendra Res Publica, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, EcoAlbania dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kanë kërkuar shfuqizimin e tyre.
Në kërkesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, organizatat argumentojnë se masat ndëshkuese janë joproporcionale dhe cenojnë parimet kushtetuese, veçanërisht të drejtën për tubim dhe protestë. Ato kanë kërkuar që çështjet të shqyrtohen me përparësi.
Marrë nga Shteg.org