Dështimi për t’u kualifikuar në Champions League ka sjellë një tërmet të vërtetë te Milani. Humbja ndaj Cagliari-t në “San Siro” ka qenë pika që derdhi gotën për pronarin Gerry Cardinale, i cili tashmë duket i vendosur të ndryshojë rrënjësisht strukturën drejtuese të klubit kuqezi.
Sipas medieve italiane, drejtuesit aktualë janë pranë largimit dhe revolucioni pritet të përfshijë pothuajse të gjithë organigramën e klubit. Në qendër të kritikave kanë përfunduar administratori deleguar, Giorgio Furlani, drejtori teknik Geoffrey Moncada dhe drejtori sportiv Igli Tare, të cilët konsiderohen përgjegjës për sezonin zhgënjyes të Milanit.
Klima brenda klubit përshkruhet si shumë e tensionuar. Përplasjet e brendshme, ndarjet në grupime dhe mungesa e unitetit kanë sjellë pasoja të rënda si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar. Milani mbetet për të dytin sezon radhazi jashtë Champions League dhe tifozët kanë shpërthyer në protesta të forta pas ndeshjes me Cagliari-n.
Në tribunë ishte i pranishëm edhe vetë Cardinale, i cili ndoqi nga afër reagimin e tifozëve dhe largimin e Zlatan Ibrahimoviç-it nga stadiumi mes kritikave të shumta. Pronari amerikan zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit e klubit për të diskutuar të ardhmen e Milanit dhe ndryshimet që pritet të ndodhin shumë shpejt.
Sipas raportimeve, Furlani pritet të largohet nga posti i administratorit deleguar, ndërsa edhe Moncada dhe Tare janë pranë shkarkimit. Kritika të forta ka marrë sidomos merkatoja e sezonit, që konsiderohet një dështim i madh pas investimeve të rëndësishme pa rezultat.
Jo vetëm drejtuesit, por edhe pozicioni i trajnerit Massimiliano Allegri është seriozisht në dyshim. Sezonin e ardhshëm Milani pritet të nisë me fytyrë krejtësisht të re, si në drejtim ashtu edhe në skuadër.
Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për klubin kuqezi, me Cardinale që do të marrë vendimet finale për një revolucion të plotë në “Casa Milan”.
Marrë nga Sportmediaset.it