Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule, të pandehur në dosjen “Veliaj”, nën akuzën e pastrimit të parave. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj heqje lirie.
Në të njëjtin fraksion të çështjes, SPAK ka kërkuar një gjobë prej 600 mijë lekësh për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për pengim të hetimeve të drejtësisë.
Për Ina Goxhajn, e akuzuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë, Frosina Bollon dhe Fatjon Baçin, të akuzuar për futjen e sendeve të ndaluara në paraburgim, prokuroria ka kërkuar dënimin me shërbim prove.
Ndërkohë, për biznesmenin Fatmir Bektashi, i akuzuar për korrupsion aktiv, SPAK ka kërkuar kryerjen e punëve në interes publik. Për Flutura Xhanin, e akuzuar për deklarim të rremë, është kërkuar një gjobë prej 40 mijë lekësh.
Adela Kondakçiu, e akuzuar për pastrim parash, përjashtohet nga dënimi, pasi ka përfituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu masa financiare ndaj tri subjekteve të përfshira në dosje: një gjobë prej 18 milionë lekësh për kompaninë Ramental, 800 mijë lekë për kompaninë Kontakt dhe 500 mijë lekë për organizatën Frobolus.
Gjatë procesit gjyqësor, Abule dhe Bushka kanë kërkuar ndarjen e çështjes, duke argumentuar se nuk janë funksionarë publikë dhe se, për rrjedhojë, nuk duhet të gjykohen nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Elman Abule, biznesmen që ka jetuar mes Zvicrës dhe Belgjikës, ku ushtronte aktivitet në sektorët e ndërtimit dhe të metaleve, është përfshirë në hetimet e SPAK për shkak të lidhjeve të dyshuara me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas dokumenteve të siguruara dhe publikuara nga “Shteg.org”, Abule dhe Veliaj kanë udhëtuar së bashku drejt Tokios, Italisë, Holandës, Anglisë dhe destinacioneve të tjera. Në disa prej këtyre udhëtimeve kanë qenë të pranishme edhe bashkëshortet e tyre.
Një tjetër aspekt i hetimit lidhet me një rrjet kompanish të lidhura me Abulen dhe bashkëshorten e tij, Marisa Nito. Sipas dyshimeve të hetuesve, përmes këtyre subjekteve janë qarkulluar shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet faturave për shërbime konsulence me vlera të dyshimta.
Dokumentet e publikuara nga “Shteg.org” ngrenë gjithashtu dyshime se një pjesë e fondeve kanë përfunduar në zyrën ligjore të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, përmes faturave të përgatitura paraprakisht, pa dokumentacion mbështetës për shërbimet e pretenduara.
Sipas SPAK, ky mekanizëm dyshohet se është përdorur për të pastruar para që mund të kenë ardhur nga veprimtari korruptive. Në kuadër të këtij hetimi, Abule është marrë i pandehur për pastrim parash.
Vendimi përfundimtar për këtë fraksion të dosjes pritet të shpallet më 25 nëntor.
Marrë nga Shteg.org